
Ish-kryeministrja ukrainase Yulia Tymoshenko ka deklaruar se planifikon të kandidojë për postin e presidentes së Ukrainës në zgjedhjet e majit.
Tymoshenko deklaroi se do të jetë “një kandidate për Ukrainën e bashkuar”. Ajo u tha gazetarëve se kishte fituar të drejtën për të qenë një kandidate, me pikën kryesore të saj luftën kundër korrupsionit.
Zonja Tymoshenko u lirua nga burgu në muajin shkurt, pas protestave që rrëzuan presidentin Viktor Yanukovych, pas tre vitesh në qeli. Më parë ajo ka shërbyer dy herë si kryeministre dhe ka tentuar për postin e kreut të shtetit një herë në vitin 2010.
Ajo ka qenë një figurë e rëndësishme e Revolucionit Portokalli të vitit 2004, që rrëzoi administratën e parë të presidentit Yanukovych. Në vitin 2010 ajo i humbi me një diferencë fare të ngushtë zgjedhjet presidenciale kundër pro-rusit Yanukovych.
Një vit më vonë u burgos për korrupsion, në lidhje me një kontratë gazi që kishte ndërmjetësuar me Rusinë në vitin 2009, kur ishte kryeministre. Mbështetësit e saj deklaruan se dënimi ishte i motivuar politikisht dhe i organizuar nga rivali i saj, Yanukovych.
Ndërsa në ditët e fundit, ajo mohoi origjinalitetin e një bisede të regjistruar telefoniku, ku thoshte se Rusia duhet të rrafshohej dhe rusët etnikë në Ukrainë të vriteshin. Tymoshenko tha se biseda e regjistruar, që u transmetua fillimisht në mediat ruse, ishte një produkt i shërbimeve sekrete ruse.
Ndërkohë, ish-kampioni i boksit Vitaiy Klitschko dhe miliarderi Petro Poroshenko pritet të marrin pjesë gjithashtu në garën presidenciale. Sondazhet sugjerojnë se zoti Poroshenko, që është një nga njerëzit më të pasur të Ukrainës, është kandidati më popullor.
Zgjedhjet do të mbahen më 25 maj. Mbi 1 mijë persona mbetën të vrarë gjatë protestave që rrëzuan nga pushteti presidentin pro rus Yanukovych në shkurt.
Ndërkohë, Rusia ka përforcuar praninë e saj në kufijtë e Ukrainës me rreth 100 mijë ushtarë, përveç atyre 20 mijë të llogaritur nga Shtetet e Bashkuara.
Alarmi është dhënë nga presidenti i këshillit të sigurisë kombëtare ukrainase, Andriy Parubiy, në një lidhje me video-konferencë nga Kievi në mbledhjen e Këshillit Atlantik në Uashington.
Top Channel