“Rusia duhet të ndalojë së përdoruri rastin e pavarësisë së Kosovës nga Serbia për të arsyetuar inkursionin e saj në Krime, për shkak se këto dy raste nuk mund të krahasohen”.

Kështu ka deklaruar kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi në një intervistë për agjencinë “Reuters”, ku ka nënvizuar se, ngjarjet që çuan në pavarësinë e Kosovës më 2008 nuk kanë asnjë lidhje me ngjarjet në Ukrainë.

“Në asnjë rrethanë rasti i Kosovës nuk mund të krahasohet me rastin e Krimesë. Kosova është rast unik. Komuniteti ndërkombëtar ndërhyri pas genocidit të Serbisë”, ka thënë Thaçi.

Ai ka theksuar se kosovarët asnjëherë nuk kanë kërkuar që të shkëputen nga një vend për t’u bashkuar me një tjetër. “Qasja e ndryshimit të kufijve dhe aneksimit të territoreve nga një vend tjetër është qasje e gabuar dhe mund të ketë pasoja për të gjithë botën”, ka vlerësuar më tej Thaçi.

“Kujtojmë se në luftën e Kosovës janë vrarë mbi 12 mijë persona, shumica prej tyre shqiptarë, ndërsa u zhvendosën nga shtëpitë e tyre rreth 1 milion të tjerë”, vijoi kryeministri i Kosovës.

Agjencia “Reuters” shkruan se Thaçi sot shihet si fytyra pro-perëndimore e Kosovës, me përkrahjen e Uashingtonit dhe shumicës së shteteve anëtare të BE-së.

Top Channel