Për të sqaruar më hollësisht skemën e re të legalizimeve të miratuar nga qeveria dhe që pritet të marrë edhe miratimin e parlamentit nga maxhoranca e majtë në studion e edicionit qëndror informativ të Top Channel ishte i ftuar kreu i ALUIZNI-t, Artan Lame.

Ilir Paço: Zoti Lame, kemi akuza politike nga opozita se keni gënjyer gjatë fushatës elektorale për legalizimin falas…

Artan Lame: Akuzat janë pa logjikë. Nuk dua të humb asnjë sekondë për t’iu përgjigjur akuzave, por dua të them se si do bëhen legalizimet. Si do bëhen? Si do të priten nga ne qytetarët? Cfarë do të duhet të paguajnë? Cfarë dokumentacioni u duhet, se sa për të harxhuar kohë se përse nuk ua bëri Saliu legalizimet.

Ilir Paço: Zoti Lame të mërkurën Kryeministri ka shpërndarë tapitë e para në Paskuqan. Një shpërndarje certifikatash pronësie e ka bërë edhe ish-kryeministri Berisha më parë, të cilën ju në opozitë e keni sulmuar si të rreme. Sot në qeverisje, sa reale janë këto tapi dhe nuk janë vetëm për atë që quhet konsum publik dhe mediatik?

Artan Lame: Që dje gazetarët nisën të kërkonin listat e atyre që u legalizuan. Kjo është lehtësisht e verifkueshme. Kur gënjeshtra ka qenë kaq e madhe është e domosdoshme që të bëjmë xheste të tilla publike që të vërtetohet se kjo qeveri e ka seriozisht. Janë zhgënjyer aq shumë qytetarët, është një thyerje aq e fortë besimit tek qytetarët dhe ne po mundohemi ta rikthejmë këtë besim në legalizimin. Nga janari janë paraqitur 14.500 ankesa kërkesa dhe problematika të ndryshme që kanë të bëjnë me legalizimet dhe këto tregojnë që qytetarët kanë nisur të besojnë më në fund.

Ilir Paço: Kryeministri foli për një garanci hipotekore duke e lidhur legalizimin me cmimin e energjisë elektrike. Mund të shpjegoni cfarë është kjo garanci dhe si do të detyrohet dikush në këto zona informale të formalizohet edhe sa i përket faturave të papaguara? Kujtojmë se janë pikërisht zonat informale ato që kanë edhe borxhet më të mëdha ndaj CEZ apo ujësjellësit?

Artan Lame: Ajo që duam të arrijmë është që rrethinat t’i kthejmë pjesë të qyteteve tona. Këta njërëz të bëhen pjesë e sistemit. Sa më shumë t’i lëmë jashtë sistemit, sa më shumë t’i lëmë aq më shumë do të mbeten jashtë qyteteve. Ndaj t’i përfshijmë brenda sistemit. Pjesa reale, që do të thotë ajo që quajmë për pagesën e energjisë, përtej gjithë faljeve dhe zbritjeve që i janë zbritur nga trualli, ka një shtesë për energjinë, qytetari nuk do të paguajë dritat nëse nga momenti kur legalizohet deri në 2 vjet paguan rregullisht energjinë elektrike, pjesa e energjisë që s’ka paguar më parë i falet. Kjo është një shtesë.

Ilir Paço: Kryeministri tha se nga legalizimi nuk do të përjashtohen ata që thonë se nuk kanë mundësi të paguajnë për tokën. Por këtë mund ta thonë që të gjithë, për më tepër kur bëhet fjalë për zonat informale?

Artan Lame: Legalizimi ka një skemë shumë të plotë me shumë nëndarje në ndryshim nga ligji aktual që nuk u zbatua ndonjëherë. Përtej kësaj ne kemi parashikuar edhe nevojat, problematikat, shtesat sipas kategorizimit të shoqërisë. Legalizimi mbyllet menjëherë në momentin e pagesës dhe qytetarit i njihet prona. Është parashikuar edhe pagesa më këste si dhe lehtësitë për shtresat në pamundësi.

Ilir Paço: I rikthehemi temës me të cilën e hapëm: A mund të na thoni se cfarë është falas? Tokën do ta paguajnë të gjithë këta qytetarë?

Artan Lame:
Janë rreth 67 mijë familje që kanë ndërtuar në tokë të tyre, që nuk paguajnë absolutisht asnjë gjë sepse të gjithë procedurat e ka marrë përsipër t’i paguajë shteti, gjithë procedurat, gjithë pagesat e shërbimeve. Këto familje dalin pa asnjë lek të paguar. Janë edhe familjet e tjera, që kanë ndërtuar në tokë të shtetit apo në tokën e pronarëve. Këto familje përllogaritet që truallin do ta paguajnë me gjysmën e vlerës së tregut. Nëse paguajnë menjëherë fitojnë edhe zbritjen tjetër prej 20 përqind. Nëse do të paguajnë me letra me vlerë kanë një ulje tjetër. Familjet me ndihma ekonomike kanë 30-40 përqind ulje vec uljeve të tjera, ndërsa për familjet me invalidë trualli është falas.

Top Channel