Projektligji për veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk hyri në rendin e ditës me proçedurë të përshpejtuar në Kuvendin e Kosovës. Kjo pasi Lidhja Demokratike e Kosovës dhe lëvizja Vetëvendosje votuan kundër shmangies së proçedurës së rregullt.

Kërkesa për shmangie ishte e grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës. Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri kërkoi nga kryeministri Hashim Thaçi që të deklarohet pro amendamentit të LDK-së që pjesë e këtij ligji të jenë edhe ushtarët e UÇK-së të cilët janë komanduar nga Ministria e Mbrojtjes.

Beqiri tha se në të kundërtë LDK-ja do të votojë kundër. Kryeministri Thaçi në fjalën e tij tha se luftëtarët e UÇK-së do të përfitojnë nga ligji, por ai nuk garantoi se amendamentet e LDK-së do të hyjnë në ligj.

Ai kujtoi se në takimin me kryeministrin e atëhershëm Bujar Bukoshi është arritur unifkimi që të gjithë luftëtarët e lirisë të luftojnë nën emblemën e UÇK-së.

Kundër përshpejtimit të proçedurës ishte edhe lëvizja Vetëvendosje. Faton Topalli, deputet i VV-së, tha se me qëllim të bërjes së ligjit sa më të mirë pa u nxituar, një javë pritje nuk i dëmton as veteranët e as punën e Kuvendit. Për futjen e projektligjit në seancën e së enjtes votuan 62 deputetë, 31 kundër dhe dy abstenuan.

Top Channel