Fiks Fare: Vakumi në Kodin Penal

27/03/2014 00:00

Vakumi i krijuar në Kodin Penal të Shqipërisë sjell një situatë sa tragjike edhe komike. Dënohen njësoj si njerëz që kapen me disa rrënjë kanabis sativa në oborrin e shtëpisë, ashtu edhe njerëz që mbjellin hektare të tëra, apo dërgojnë tonelata hashash drejt Perëndimit.

Emisioni “Fiks Fare” ka bërë një investigim duke sjelle në vëmendjen e opinionit, por mbi të gjitha të ligjbërësve, nevojën urgjente për të ndërhyrë në Kodin Penal.

Të ketij mendimi janë edhe krerë të lartë institucionesh, duke filluar nga kryeprokurori i Prokurorisë së Apelit të Tiranës, Shkëlqim Hajdari dhe vetë ministri i Drejtësisë, zoti Nasip Naço.

“Kjo është një çështje shumë e rëndësishme dhe emisioni juaj ka hedhur dritë mbi shumë aktivitete kriminale. Çështja e narkotikëve është shqetësim kombëtar. Kemi nga njëra anë kanabisin që kultivohet dhe trafikohet në vendet evropiane dhe nga ana tjetër dënimin njësoj të trafikantëve për sasi të vogla me ata të sasive të mëdha. Ndryshimi i Kodit është një domosdoshmëri. Unë e kam ngritur disa herë këtë çështje dhe është koha që për trafikun e narkotikëve të merremi seriozisht. Duhet ta ndajmë në dy kategori: personat që e kultivojnë dënohen, ata që e përdorin për përdorim personal të dënohen lehtë dhe ata që trafikojnë sasi të mëdha rëndë”, ka deklaruar Hajdari.

“Është një shqetësim i madh, jo vetëm i imi por edhe i gjyqtarëve e prokurorëve. Ju them sinqerisht se kur kam qenë prokuror, kur kam firmosur dënimin për një djalë 18 vjeç, që ishte kapur me disa gramë heroinë, më është dridhur dora. Nuk e dinim në ishte përdorues apo shpërndarës. Kodi ka nevojë për ndryshim. Përdoruesit në jo pak raste policia i përdor për të rritur statistikat. Ndryshimet për këto kategori duhet të jenë në qendër të vëmendjes”, ka thënë nga ana tjetër ministri Naço. 

Top Channel