Barack Obama mbërrin në Romë

27/03/2014 00:00

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka mbërritur në Romë. “Air Force One” është ulur rreth orës 21:15 të mbrëmjes së të mërkurës në aeroportin e Fiumicino-s.

Të enjten, Obama do të takohet në Vatikan me Papa Françeskun, më pas do të pritet në pallatin “Quirinale” nga kreu i shtetit, Giorgio Napolitano, e në fund do të bisedojë edhe me kryeministrin Matteo Renzi, në vilën “Madama”.

Pak minuta pas zbritjes, Obama, nën disa reshje të lehta, i është drejtuar me një eskortë të mahnitshme vilës “Taverna”, rezidenca romane e ambasadorit amerikan, John Phillips, ku do të kalojë edhe natën.

“Napolitano është një shkëmb për Italinë” – Pikërisht ambasadori Phillips, pak përpara mbërritjes së presidentit amerikan, kishte nënvizuar se Obama “do të kënaqet kur të takojë një ish-mikun e tij të vjetër, presidentin Giorgio Napolitano, që e konsideron si një shkëmb të stabilitetit dhe integritetit të vendit të Apenineve”. Presidenti amerikan “e dashuron Romën dhe është i lumtur që do të takohet me Papa Françeskun, të cilin e admiron jashtë mase dhe që e ka ndjekur me vëmendje të jashtëzakonshme gjatë vitit të tij të parë në krye të Papatit”.

“Papa na sfidon me të varfrit” – Në një intervistë për “Corriere della Sera”, Obama ka thënë se “Papa na ka sfiduar. Na detyron të kujtohemi për të varfrit. Na fton të ndalemi dhe të reflektojmë mbi dinjitetin e njerëzimit. Mbërrij në Romë për ta dëgjuar. Mendimi i tij është i shenjtë për të kuptuar se si mund ta fitojmë sfidën kundër varfërisë ekstreme, si dhe për të kufizuar pabarazitë”. Më pas ka premtuar një impenjim të fortë të amerikanëve për ekspozitën e Milanos.

Top Channel