Në Maqedoni ka disa orë që ka nisur edhe fushata për zgjedhjet presidenciale. Në garë janë 4 kandidatë, njëri prej tyre është shqiptar, por që në fillim fushata ka startuar në mënyrë të veçantë me akuza ndërmjet dy partive kryesore shqiptare, BDI dhe PDSH.

Në lidhje të drejtpërdrejtë me Skype, për Revistën televizive të Mbrëmjes, ka qenë shefi i zyrës së Top Channel në Shkup, Kim Mehmeti.

Pandi Gjata: Si ka nisur kjo fushatë, ç’tregojnë sondazhet dhe a është Gjeorgje Ivanov, presidenti aktual, favorit edhe për një mandat të dytë si President i Maqedonisë?

Kim Mehmeti: Deri më tani nuk ka pasur ndonjë anketë më serioze, përpos atyre që bëhen nga institucionet pro-qeveritare, ku i jepet një përparësi Ivanovit, ndërsa personalisht mendoj se është shumë e vështirë të parashikohen këto zgjedhje. Nga vet fakti se, gjithmonë për presidentin ka vendosur vota e shqiptarit. Është zgjedhur si president, ai që ka marrë mbështetjen edhe të partisë më të madhe shqiptare. Kësaj radhe, ndërmjet partive shqiptare ekziston një paqartësi, ashtu si dhe te votuesit, ndërkohë që duket se të dyja ato po bëjnë gjithçka për të mos e prishur lojën e VMRO-DPMNE-së. Më duket një lojë as mirë e koordinuar, që çdo gjë të shkojë në favor të zgjedhjes së presidentit aktual, Gjeorgje Ivanov, si dhe të bllokohen shqiptarët që realisht do të kishin dashur të votonin për kandidatin e LSDM-së, Stevo Pendarovski.

Pandi Gjata: Kur flasim për faktorin shqiptar, BDI që është parti në pushtet po bën thirrje për bojkot të zgjedhjeve presidenciale. PDSH ka kandidatin e saj në këto zgjedhje. Ju e thatë që faktori shqiptar është shumë i rëndësishëm dhe ka një koincidencë, që në raundin e dytë presidencial do të mbahen edhe zgjedhjet parlamentare të parakohshme në Maqedoni. Është akuzuar shpesh partia e Ali Ahmetit se ka një skenar për të siguruar edhe përqindjen e votuesve që duhen për në raundin e dytë presidencial, në mënyrë që ky raund të jetë i vlefshëm.

Kim Mehmeti: Nëse ka ndonjë skenar, në këtë përfundim vijmë nëse mendojmë logjikisht, pasi nëse BDI do të donte të dështonte në zgjedhjet presidenciale, nuk do të lejonte që zgjedhjet parlamentare të bëhen në të njëjtën ditë kur bëhet edhe raundi i dytë i presidencialeve. Që do të thotë se është disi e palogjikshme që të presësh nga dikush që shkon të votojë për deputet, të marrë edhe fletën e votimit për president. Prandaj e thash se edhe partitë shqiptare, sipas meje, janë të zëna peng nga VMRO-DPMNE, dhe tani mundohen se si “ta çojnë ujin në mullirin e partisë së Gruevskit”, por që shqiptarët këtë të mos e lexojnë. Por, votuesi shqiptar nuk është më në atë shkallën e dikurshme, që vetëm të dëgjojë urdhrat partiake, ndaj dhe thash se është e paparashikueshme se si do të jetë fundi i këtyre zgjedhjeve parlamentare, veçanërisht kur BDI u pajtua që censusi për zgjedhjen e presidentit nga 50%+1 votues të zbresë në 40%+1 votues, që në njëfarë mënyrë e minimizon apo e zbeh votën shqiptare, ndërsa tani del me një kërkesë të palogjikshme. Pasi me bojkotin ata thonë se janë gati për ta dështuar këtë proces zgjedhor presidencial, por si mund të ndodhë kjo nëse shqiptarët do ta bojkotojnë? Ndaj dhe BDI dhe PDSH janë pengje të premtimeve që u ka bërë Gruevski dhe tani duhet vetëm të luajnë lojën sa më mirë, që mos dëmtohen tek elektorati i tyre shqiptar, por edhe me kryeministrin të dalin korrekt.

Top Channel