Përfundimi i mandatit të misionit EULEX, tranzicioni dhe transferimi e kompetencave tek institucionet vendore, ka qenë temë e diskutimit në takimin e zhvilluar të mërkurën në Prishtinë mes ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, shefit të zyrës së BE-së në Kosovë, Sameul Zhbogar, si dhe shefi i EULEX-it Bern Borchardt.

Sipas një komunikate të lëshuar nga Ministria e Drejtësisë, Kuçi ka ritheksuar nevojën për përcaktimin e çështjeve që ndërlidhen me mandatin e EULEX-it, në mënyrë që të përgatiten të gjitha ndryshimet legjislative që kërkohen, me qëllim realizimin e tranzicionit, respektivisht transferimit të kompetencave nga misioni evropian tek institucionet vendore.

“Palët u pajtuan se është e nevojshme që të arrihet një marrëveshje mes Prishtinës dhe Brukselit lidhur me mandatin e EULEX-it, në mënyrë që sa më parë të fillojnë përgatitjet e nevojshme për fazën tranzicionale”, thuhet mes të tjerash në njoftim.

Gjithashtu bëhet me dije se është diskutuar edhe rreth aspekteve proçedurale të këtij procesi, përkatësisht për arritjen e një marrëveshjeje përmes shkëbimit të letrave mes Prishtinës dhe Brukselit.

Kjo do të bëhet përmes ratifikimit nga Kuvendi i Kosovës i marrëveshjes në fjalë dhe amendamentimi i ligjeve përkatëse që ndërlidhen me mandatin e EULEX-it.

Top Channel