Avioni, hipotezat e tragjedisë

24/03/2014 00:00

Verifikimi i kujdesshëm i të gjitha të dhënave ekzistuese mbi avionin e zhdukur të “Malaysia Airlines” tregoi se fati i “Boeing-ut 777” ishte ai i dyshuar që në fillim: rrëzimi.

Por, fluturimi MH370 rezulton të ketë rënë në Oqeanin Indian, krejtësisht jashtë rrugës së tij, ndaj dhe rrethanat qëë kanë çuar në këtë devijim presin të zbardhen.

Çfarë ndodhi? Si përfundoi në ujrat pranë Perth-it avioni i nisur për në Pekin? Ekspertët këmbëngulin në mundësinë e një shpërthimi në bord, si shpjegimi më i besueshëm.

Mund të ketë qenë një bombë, ose diçka që është hedhur në erë në pjesën e bagazheve, duke hapur një vrimë në trupin e avionit. Forca e saj nuk ka qenë aq e madhe sa ta rrëzonte avionin në çast, por ka shkaktuar të tillë humbje të presionit të ajrit në bord, sa i ka lënë të pavetëdijshëm të gjithë, pasagjerë e anëtarë ekuipazhi bashkë, dhe Boeing ka fluturuar me auto-pilot, deri sa ka mbetur pa karburant.

Kjo duket teoria më e logjikshme. Zjarri është mundësia tjetër e çorientimit të pilotëve, duke i hutuar aq shumë sa nuk kanë mundur të lëshojnë asnjë sinjal ndihme dhe gjithë çfarë kanë arritur të bëjnë para se të humbnin ndjenjat ka qenë kthimi i avionit.

Ndoshta mjeti ka pasur ndonjë të çarë të lehtë. Edhe kjo do shkaktonte dekompresion, por më të ngadaltë. Boeing vet e ka pranuar se, në disa modele mund të ndodhin gërryerje, e për pasojë njerëzit në bord përballen me një gjendje të quajtur hipoksia, apo uri për oksigjen, e cila mund t’i ketë shtyrë pilotët të bëjnë gabime e të mos nisin një thirrje për ndihmë, çka do ta kthente natyrshëm MH370-n në një fluturim fantazëm.

Rrëmbimi nuk është përjashtuar si mundësi, e po ashtu edhe sabotazhi, por të dyja këto skenare ngrenë një pyetje mjaft logjike: për çfarë qëllimi do ta rrëzonin avionin në mesin e oqeanit, ku nuk e gjen askush.

Vetëvrasja e pilotit sërish lë vend për diskutime. Përse duhet të fluturonte për 7 orë një njeri, që ka ndërmend t’i japë fund jetës së tij e të të tjerëve në bord, kur fare mirë mund ta rrëzonte avionin menjëherë pas ngritjes në ajër.

Së fundi, po diskutohet edhe një mundësi e re: ajo e një sulmi kibernetik. Ndoshta një pasagjer me laptop me vete ka mundur të marrë kontrollin e mjetit, duke i nxjerrë krejtësisht jashtë loje pilotët e tij. Edhe kjo është një skemë komplekse, që mund të realizohej vetëm nga një gjeni kompjuterash me njohje shumë të mirë të avionëve, por që sërish nuk e shmang dot pyetjen: përse të devijosh rrugën e një avioni në fluturim, duke e dërguar drejt… asgjësë!?

Top Channel