15-vjetori i bombardimit të NATO-s

24/03/2014 00:00

Presidenti serb Tomisllav Nikoliç ka thënë se bashkësia ndërkombëtare i ka borxh Serbisë një kërkim falje për bombardimet e NATO-s 15 vjet më parë.

Ndërkaq, mediat si lajm kryesor kanë pikërisht këtë përvjetor. Ka pasur shumë tubime dhe përkujtime. Disa thonë se Jugosllavia atëherë u bombardua nga NATO për të rrëmbyer Kosovën.

Dushan Janjiç, aktivist shumëvjecar dhe analist, thotë se bombardimet megjithatë ndryshuan të ardhmen e Ballkanit dhe nxorën në pah rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe integrimit euroatlantik.

“Bombardimet për shkak të Kosovës në fakt për qëllim kanë pasur ndalimin e makinerisë së Sllobodan Millosheviç dhe ushtrisë së tij që të bëhej një kërcënim rajonal. Rezultat kolateral ka qenë bashkëpunimi me shqiptarët e Kosovës dhe krijimi i shtetit të Kosovës”, deklaron Janiç.

Ai kujton se shoqëria civile në Serbi ka qenë aktivite në kohën e luftës. Serbia dhe Kosova kanë arritur progres në marrëdhëniet e tyre pas bisedimeve të Brukselit, por kjo nuk mjafton.

“Ne duhet të jetojmë së bashku sepse jemi fqinj, ose të paktën njëri pranë tjetrit. Pas normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën duhet të vijë bashkëpunimi i vërtetë i serbëve dhe shqiptarëve në tërë rajonin”, vlerëson Janiç.

Një pjesë e opinionit në Serbi ishte kundër diktatorit Sllobodan Millosheviç, por propaganda e atëhershme ishte e madhe. Jugosllavia e mbetur atëherë kishte rënë në test jo vetëm me nisjen e luftës së Kosovës, por besimi ishte humbur me masakrat e shumta dhe refuzimet e marrëveshjeve paqësore.

Top Channel