Ish-zyrtarët amerikanë vazhdojnë të hedhin poshtë krahasimet që Moska zyrtare bën mes rastit të Krimesë dhe atij të Kosovës.

Këtë radhë ka qenë ish-sekretarja e Shtetit, Madeleine Albright që përmes një shkrimi në “Washington Post” ka dënuar agresionin rus në Krime.

“Meqenëse agresioni i Vladimir Putin ka shkelur ligjin ndërkombëtar, është interesante të shihet mënyra se si ai po përpiqet që të justifikojë veprimet e tij me preçedentë. Putin thotë se ai po bën atë që shtetet e tjera bënë në Kosovë, gjë që nuk është aspak e vërtetë”, ka shkruar Albright.

Sipas saj, në vitet ’90 ndërhyrjet ndërkombëtare në Ballkan u miratuan nga OKB dhe në to kontribuan një numër i madh vendesh në shumë institucione dhe me marrëveshje informale, përfshirë këtu Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

“Forca u përdor vetëm pasi kishte shteruar diplomacia”, ka vënë në dukje ish-kryediplomatja amerikane, e cila pati një ndër rolet kyçe në mbështetjen e sulmit të NATO-së mbi caqet ushtarake serbe në Kosovë dhe Serbi, nga fillimi i të cilit pasnesër bëhen 15 vjet.

Ndërkohë, edhe zëvendësi i atëhershëm i Albright, Strobe Talbot, në të njëjtën gazetë ka hedhur poshtë paralelet e ngritura mes Kosovës dhe Krimesë nga Kremlini.

“Këta dy shembuj nuk kanë si të jenë më të ndryshëm nga njëri-tjetri. NATO e bombardoi Serbinë pasi diplomacia dështoi të ndalte fushatën e Millosheviçit për dëbimin e kosovarëve nga fshatrat e tyre dhe vrasjen e mijëra të tjerëve”, ka shkruar Talbot.

Top Channel