Bashkimi Europian pret me vëmendje qëndrimin e Serbisë mbi Krimenë, duke bërë të qartë në heshtje që vetëm një qëndrim i qartë kundër Rusisë do të mbështeste Beogradin në rrugën e tij të integrimit europian.
Sipas të përditshmes “B92”, Brukseli ndërkohë ndihet i pakënaqur me Serbinë, që ende nuk ka mbajtur një qëndrim zyrtar mbi krizën në Ukrainë.
Sipas drejtorit politik të fondacionit “Konrad Adenauer”, BE pret që t’i përgjigjet agresionit rus me një bllok të bashkuar prej 28 shtetesh.
“Në këtë moment, për Brukselin është e rëndësishme që edhe vendet që synojnë integrimin të mbajnë një qëndrim të njëjtë”, deklaroi Henry Bone, drejtori i fondacionit.
“Serbia duhet të lëvizë në të njëjtën rrugë si Mali i Zi, duke shfaqur solidaritet ndaj BE-së. Brukseli po e ndjek me vëmendje këtë situatë dhe ka të qartë gjithashtu se Beogradi ka lidhje të forta ekonomike me Rusinë dhe se një gazsjellës rus do të kalojë nëpërmjet vendit. Megjithatë, duke konsideruar që Serbia ka nisur negociatat e anëtarësimit, nga BE do të mirëpritej një qëndrim i qartë pro-europian”, tha Bone.
Në fjalën në të cilën shpallte bashkimin e Krimesë me Rusinë, më parë gjatë javës, presidenti Putin iu referua edhe precedentit të Kosovës për të përligjur pushtimin e krahinës jugore ukrainase.
Serbia është treguar e kujdesshme që të ruajë heshtjen deri më tani, e vetëdijshme që njohja e pushtimit rus në Krime do të ishte në kontradiktë me qëndrimet që Beogradi ka mbajtur për të përligjur pretendimet e tij ndaj Kosovës.
Top Channel