
Ish-diplomati amerikan Christopher Hill, i angazhuar në procesin
negociator gjatë krizës në Kosovë, ka hedhur poshtë krahasimin mes
rastit të Kosovës dhe Krimesë.
Në një intervistë për versionin maqedonas të Zërit të Amerikës, ai ka shtruar pyetjen: në qoftë se Rusia thotë se Krimeja duhet të ndjekë shembullin e Kosovës, përse atëherë nuk e ka njohur Kosovën?
Dekan i Fakultetit Ndërkombëtar në Universitetin e Denverit, Christopher Hill tha se bashkësia ndërkombëtare duhet të jetë shumë vigjilente ndaj Rusisë pas asaj që ndodhi me Krimenë.
“Në fund të fundit, në Kosovë pati një ndërhyrje të NATO-s. Trupat e huaja qëndruan atje me vite dhe u bënë zgjedhje të mbikëqyrura nga të huajt.
Fakti që Rusia, e cila kundërshtoi çdo gjë që lidhej me Kosovën, thotë tani se Krimeja duhet të ndjekë shembullin e Kosovës, të bën të pyesësh: përse atëherë nuk e kanë njohur ata Kosovën?
Prandaj mendoj se ky është vetëm një justifikim. Ata tani e kanë marrë vendimin, por jo bazuar mbi rastin e Kosovës”, tha Hill.
Top Channel