Është vendosur përfundimisht që selia e gjykatës për gjykimin e krimeve
të supozuara të luftës së fundit në Kosovë të themelohet në Kosovë dhe
të ketë një degë edhe në Hagë.

Lajmin e kanë bërë të ditur burime ndërkombëtare për portalin “Koha.net”, sipas të cilit struktura do të funksionojë si gjykatë e veçantë. “E gjithë përbërja e gjyqtarëve do jetë ndërkombëtare”, kanë thënë burimet.

Mësohet se në degën e gjykatës në Hagë do të japin dëshmitë e tyre vetëm dëshmitarët e mbrojtur. Bashkësia ndërkombëtare ka insistuar deri tani që selia e një gjykate të veçantë, që do të merrej me pretendimet për krime të kryera në luftën e Kosovës, të jetë jashtë shtetit.

Ndërsa qeveria e Kosovës ka kërkuar që, nëse gjykata ta ketë selinë në Kosovë dhe krimet e supozuara të UÇK-së të gjykohen nga vendorët.

Megjithatë, kryeministri Hashim Thaçi, në një paraqitje televizive mbrëmjen e së enjtes ka mohuar në mënyrë të prerë se bëhet fjalë për krijimin e një gjykate ndërkombëtare jashtë Kosovës.

Sipas tij, bashkësia dhe drejtësia ndërkombëtare janë në Kosovë në formën e EULEX-it. Gjithashtu, Thaçi ka thënë se drejtësia në Kosovë, institucionet e saj të krijuara nga ndërkombëtarët dhe vendorët janë mëse të mjaftueshme.

Top Channel