
Delegacioni i Republikës së Kosovës kryesuar nga zëvendëskryeministrja
Edita Tahiri, mori pjesë në takimin e radhës në Bruksel për çështjet e
zhbërjes së strukturës ilegale të sigurisë të ashtuquajturës “Mbrojtja
Civile”, njofton Qeveria e Kosovës.
“Në këtë takim u bisedua për të gjitha veprimet që duhet të merren lidhur me zhbërjen e plotë dhe efektive të kësaj strukture ilegale sipas marrëveshjes së arritur që nënkupton ndërprerjen e veprimtarisë, mbylljen e lokacioneve të veprimit dhe dorëzimi i uniformave dhe pajisjeve operative të tyre sipas rregullave ndërkombëtare”, thuhet në njoftim.
Në takim u bisedua edhe për integrimin e individëve serb që dëshirojnë të integrohen në institucionet e Kosovës, me c’rast delegacioni i Kosovës ka shprehur gatishmërinë për procesin e integrimit në institucione të ndryshme qeveritare në përputhje me kornizën ligjore të Republikës së Kosovës. Zhbërja dhe integrimi duhen të ndodhin sa më shpejtë dhe se ky do jetë një kontribut për vendosjen e ligjit, rendit dhe stabilitetit në këtë pjesë të Kosovës.
Me këtë proces i jepet fund prezencës së strukturave ilegale serbe të sigurisë dhe së bashku me procesin zhbërjes së plotë të strukturave ilegale policore, ligjërisht dhe praktikisht përfundon praktika e ndërhyrjeve të Serbisë në Kosovë, në sferën e sigurisë.” thuhet më tej në njoftimin e qeverisë. Qeveria njofton se Bashkimi Evropian rikonfirmoi përkushtimin për zbatimin e plotë të marrëveshjes së Brukselit për normalizim, e cila si parim ka mosndërhyrjen e Serbisë në punët e brendshme të Kosovës dhe respektimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës.
Top Channel