Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë i është përgjigjur interesit të mediave kur është pyetur lidhur me krahasimet e bëra ditët e fundit midis Krimesë dhe Kosovës.
Një zëdhënës i ambasadës u përgjigj përmes një deklarate se “Shtetet e
Bashkuara dënojnë lëvizjet e Rusisë për të aneksuar Krimenë”.
“Një veprim i tillë është kërcënim për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare si dhe në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. Situata në Kosovë ka qenë tërësisht e ndryshme.
Mes të tjerash, ajo situatë u rregullua nga një Rezolutë specifike e KS të OKB (1244), adoptuar sipas kapitullit VII të Kartës së OKB-së, e cila siguronte një trajtim të posaçëm për Kosovën dhe që krijonte një proces të posaçëm me autorizimin e KS të OKB-së për të zgjidhur statusin e saj.
Ishte pikërisht ky proces, kryer në përputhje me vendimet e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që çuan në pavarësinë e Kosovës.
Asgjë, sadopak e ngjashme me këtë kuadër, nuk është ngritur për Krimenë”, përfundon deklaratën zëdhënësi i Ambasadës së SHBA.
Top Channel