Viktimat e dhunës seksuale përfshihen në projektligj. Megjithatë mbetet temë e hapur diskutimi ana financiare në zbatimin e këtij projektligji.

Me 69 vota pro, 9 vota kundër dhe një abstenim, deputetët e Kuvendit kanë miratuar në lexim të dytë projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të UÇK-së, viktimave civile të luftës dhe familjeve të tyre.

Deputetja e AAK-së, Time Kadrija tha se ky projektligj është i mirëseardhur pasi këtu janë përfshirë edhe femrat e dhunuara gjatë luftës. Ajo ftoi viktimat e dhunuara seksualisht gjatë luftës që të
aplikojnë për beneficione pasi sipas saj nuk është turp ajo çfarë u ka
ndodhur.

“Ky projektligj në një farë forme është një shpresë për të gjitha ato gra që do të trajtohen në mënyrë institucionale, të cilat do të kenë përfitime materiale dhe të llojeve të tjera. Këtu janë të përfshira të gjitha ato çka janë debatuar në seancë. Pra, ky projektligj është për një kategori të viktimave civile dhe ka qenë në një fazë plotësim-ndryshimi. Dhe kjo ka ndodhur për përfshirjen e femrave të dhunuara, ndërkohë që viktimat e tjera civile janë të përfshira në ligjin bazë”, deklaroi Kadrija.

Komisioni për Shëndetësi ka propozuar që për këtë kategori të ndahen rreth 74 milionë euro. Ndërkohë, pr/ligji u jep mundësi të gjitha grave të dhunuara në luftë që në një periudhë kohore prej 4 vjetësh të lajmërohen. Sipas të dhënave, besohet se rreth 20 mijë gra shqiptare të Kosovës kanë qenë viktima të përdhunimit nga regjimi jugosllav.

Top Channel