Është regjistruar edhe viktima e katërt nga virusi H1N1. Të mërkurën rreth orës 19:00, në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, si pasojë e gripit të derrave ka vdekur një grua 63-vjeçare nga fshati Shlivovë i komunës së Gjilanit.

“Ajo ishte transferuar në klinikë një ditë më herët nga Spitali Rajonal i Gjilanit, në ditën e tetë të sëmundjes. Pacientja vuante edhe nga sëmundje të zemrës, kurse pas rëndimit të gjendjes shëndetësore ekipi kujdestar u detyrua ta fuste në respirator, por përkundër kujdesit maksimal të stafit shëndetësor, ajo nuk arriti të mbijetonte”, thuhet në një njoftim të QKUK.

Në laboratorët e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik deri tani janë konfirmuar 66 raste me H1N1. Katër nga pacientët ende po mjekohen në Klinikën Infektive, ndërsa për 3 raste të tjera janë në pritje rezultatet e analizave nga Instituti Kombëtar.

Top Channel