
Megjithëse nuk ishte në seancë parlamentare, kryeministri Hashim Thaçi ishte kryefjala e deputetëve opozitarë, të cilët veç të tjerash e akuzuan atë për keqpërdorim të buxhetit të Kosovës për fushatë parazgjedhore.
Sipas “RTK”, deputeti i Vetëvendosjes, Faton Topalli tha se kryeministri po shkel ligjin dhe po abuzon me buxhetin për fushatë partiake, duke rritur pagat e punëtorëve.
“Shihet qartë se qeveria gjatë projektimit të buxhetit nuk e ka parashikuar ngritjen e rrogave si nevojë, por po e shfrytëzon buxhetin si mjet elektoral. Kryeministri po fluturon me suksese e premtime elektorale, por shtatë vjet në gjumë dhe një muaj në fluturim janë pak për t’u mbajtur mend si kryeministër i mirë”, tha Topalli.
Në seancë u ngrit edhe problemi i derivateve të përdorura në shkolla për ngrohje, të cilat pas analizave në laboratorin në Itali kanë rezultuar se nuk janë naftë, por vaj për djegie me nivel të lartë të sulfurit.
Deputetja e AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi për këtë çështje iu drejtua qeverisë Thaçi duke pyetur se nga po vjen ai vaj. “Shtrohet pyetja për çfarë çmimi një qeveri po i helmon fëmijët e vetë? Ndoshta nëse vijnë këtu, na japin përgjigje”, tha Kadaj-Bujupi.
Por kabineti qeveritar mungoi në masë të madhe në seancë. Madje, kryetari i Parlamentit, Jakup Krasniqi kërkoi që të shkurtohej koha e pyetjeve. “Ministrat që kanë pyetje? Asnjë nuk është këtu”, tha Krasniqi.
Për këtë mungesë të qeverisë shprehu shqetësimin e tij shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, i cili sipas “RTK” e shfrytëzoi këtë seancë edhe për pak fushatë.
“Njerëzve që lodhen dihet që u jepet pushim. Siç duket ata janë shumë të interesuar të pushojnë. Dashtë Zoti dhe besojmë se do t’u jepet pushim pas këtyre zgjedhjeve, në mënyrë që të rrijnë në shtëpi dhe t’i shohin seancat në televizor”, tha Beqiri.
Në mbrojtje të qeverisë doli shefi i deputetëve të PDK-së, Adem Grabovci. “Ata janë të angazhuar me një axhendë shumë të ngjeshur dhe janë duke bërë punë shumë konkrete. Ne duhet t’i përkrahim këta ministra dhe këtë qeverisje dhe do të vazhdojmë kështu edhe në mandatin e ardhshëm”, tha Grabovci.
Top Channel