Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi i konsideron absurde krahasimet që bëhen mes rastit të Kosovës dhe atij të Krimesë, që pasi shpalli pavarësinë me një referendum u bashkua me Rusinë.

Në një intervistë për agjencinë “Business New Europe”, Thaçi ka theksuar se në asnjë rrethanë nuk mund të ngrihen paralele mes dy rasteve, sikurse ka bërë së fundmi presidenti rus Vladimir Putin.

“Nuk mund të krahasohet as në aspektin ligjor, as në atë politik dhe as në atë historik. Ne nuk i kemi ndryshuar kufijtë, ne i kishim ata më parë. Gjithashtu, Kosova është krijuar pas genocidit të kryer nga Serbia, e cila largoi me forcë një milion qytetarë nga Kosova”, ka thënë Thaçi.

Ai ka kujtuar se pavarësia e Kosovës ka qenë një proces që ka filluar pas ndërhyrjes së NATO-s, bisedimeve paqësore në Rambuje, si dhe me dialogun e ndërmjetësuar nga Marty Ahtisari dhe që është pasuar me dialogun e Brukselit, që kulmoi sipas tij me një marrëveshje.

“Kjo do të thotë se pavarësia e Kosovës është krijuar pas negociatave që u mbajtën pas luftës, ndaj krahasimet mes Kosovës dhe Krimesë nuk janë aspak të qëndrueshme”, ka thënë Thaçi.

Gjatë intervistës, kryeministri i Kosovës ka hedhur gjithashtu poshtë akuzat se, kur ka qenë shef i krahut politik të UÇK-së ka drejtuar një grup kriminal që ka trafikuar organe njerëzore, duke i cilësuar si “gjepura” dhe “fantazi shkencore”.

Top Channel