Një “Pasdite” në burgun e grave

19/03/2014 00:00

“Pasdite” në “Top-Channel” dhuroi ditën e mërkurë një prej serive të saj më të veçanta.

Nën prezantimin e Ulpiana Lamës, emisioni u zhvendos në burgun e grave 325, për të treguar dramën njerëzore të vajzave dhe grave të mbyllura pas hekurave, ndërsa shlyejnë borxhin e tyre ndaj shoqërisë.

Një emision sensibilizues, por mbi të gjitha edhe edukues, ai i “Pasdites” nisi me rrëfimin e vajzës më të re të burgut, 22-vjeçares Fisnike Hysenaj, e cila ndodhet në vitin e saj të tretë të burgimit pasi u shpall fajtor për trafik të lëndëve narkotike.

“18 vjeç fillova juridikun. Studiova 2 vjet deri 20 vjeç. Pastaj erdha këtu, për rrethana që unë s’duhet të isha, por sikur t’i kisha menduar gjërat mirë e s’duhet ta kisha marrë atë rrugë, s’do të isha këtu. Ditëm e arrestimit kam dhënë provimin e të drejtës administrative, kisha gjithsej 5 provime dhe atë ditë do jepja këtë. Ka qenë data 15 Shkurt dhe pas 3 ditësh kisha të drejtën penale. E mbarova provimin… Faktikisht në momentin që po bëja provimin nuk e kisha vendosur që ta bëja (veprën penale), por atë ditë më kujtohet moment i parë që sa kam dalë nga provimi mora babin në telefon, nuk e di përse, as vetë nuk e di, por kisha nevojë t’i dëgjoja zërin, vetëm kjo më kujtohet. Marrëdhëniet me prindërit i kam shumë të mira, veçanërisht me babain. E kam edhe shok, është një njeri që më kupton dhe më dëgjon, e normalisht më jep këshilla. Kam bërë një letër që i kam shkruar i kam vënë titullin ëngjëlli im, pasi vetëm ai më vjen. Në fillim flisnim për atë që ndodhi, tani biseda është: “Do vish në shtëpi, kemi bërë këto ndryshime, mos u mërzit, do vazhdosh shkollën jashtë”… Babai im është shumë i ndjeshëm, por nuk është tip që të marrë vrull, e ka marrë me atë qetësinë vet… Mua më ka mbetur, me gjithë amnistinë, dal në mes Nëntori”, rrëfeu Fisnikja.

E pyetur për ditët e saj në institucionin e burgimit, e reja tregoi: “Këtu është më e vështirë, por unë i kam krijuar vetes mundësi duke punuar, duke lexuar libra. Tek 313 i kisha akoma mendimin e shkollës dhe kërkoja librat e shkollës se më dukej sikur do e harroja, por këtu mësoj më shumë. Shkruaj, por atë që ndiej për momentin”.

Një studente e drejtësisë në burg. Si ajo, ka shumë të rinj të tjerë që zgjedhin rrugën e gabuar në përpjekje për t’u bërë të pasur shpejt. “Në asnjë moment nuk bëhen gjërat menjëherë. Çdo gjë ka kohën e saj. Ne duhet të ecim me hapin e kohës, duhet të kisha bërë shkollë, pastaj punë, pastaj familje, më vonë do rregulloja gjendjen ekonomike që duhet, por jo ashtu. Jo shumë shpejt pasi cmimi është shumë i madh”, mesazhi i saj.

Në nëntor, 22-vjeçarja synon të vazhdojë atje ku la shkollën dhe përse jo, të bëjë një master për të drejtën publike, pasi kontakti me njerëzit është pasioni i saj më i madh.

Lena Gjoni ka një histori shumë të veçantë. Atë e sheh në burg me kryq në dorë. Ajo është një besimtare e devotshme katolike. Nënë e tetë fëmijëve, Lena u rikthye nga Italia për të vuajtur dënimin e saj në vitin 1998, pasi për shumë vjet qëndroi e lië pas një vrasje të krye për të mbrojtur të bijën nga një person që e ngacmonte.

“Ai besim më ka ndihmuar shumë në këto vjet”, tregon zonja Gjoni. “Doja të mbroja fëmijët, vajzën nga një person që donti t’i bënte keq asaj. Disa vite i kalova në liri, pastaj nga Italia erdha këtu me kërkesën time. Vetëm kësaj radhe kam përfituar nga amnistia dhe duhet të dal në 2016-n”, shton ajo.

“Këto vite kanë qenë vitet më të vështira. Jam 57 vjeç dhe kam pasur kohët më të vështira këtu. Kur burgosesh humb gjithçka në këtë botë”, thotë Lena, e cila ëndërron momentin kur do të takojë sërish të gjithë fëmijët kur të dalë prej institucionit.

Enkelejda Topi, e cila do të dalë së shpejti nga burgu ka bërë ndërkohë plane. “Gjëja e parë që do të bëj është të udhëtoj jashtë shtetit me fëmijët e mi. Jam 39 vjeç dhe e vendosur që ta nis jetën nga fillimi”, thotë ajo.

Albana është një ndër gratë më të zgjuara dhe të afta brenda burgut. Zonja Laze është diplomuar për fizikë dhe sot është e aftë të ndërtojë shumë sende të artizanatit, të cilat i shet apo i reklamon në panaire.

“Po më pyesni për diçka që ka vite që ka mbetur pas, por nuk jam nisur fare nga ideja që po bëja një vepër penale dhe se kam menduar ndonjëhertë se po shkel ligjin sepse në mendjen time mendoja që ishte diçka e ligjshme ajo që bëja, pavarësisht ç’ndodhi më pas, se ku dhe se si ndodhën ngjarjen. Sot, pas 7 vitesh kjo s’ka më vlerë për të tjerët, por për mua ka sepse plaga dhe vuajtjet e asaj ngjarje janë shumë të mëdhaja jo vetëm për mua, por për të gjithë njerëzit që më kanë rrethuar”, thotë Albana.

Rinela Elezi ka një prej historive më të trishta. E abuzuar fizikisht nga i shoqi, ajo u shndërrua në vrasësen e bashkëshortit të saj dhe kjo i kushtoi edhe 13 vjet pa i parë fëmijët, të rritur nga gjyshërit e babait. “E kam parë këtu mbesën që është dy vjeç. Djalin e lashë 10 vjeç, për 13 vjet nuk e kam parë. Nuk e imagjinoni kur e pashë pas 13 vitesh, vetëm e kam shtrënguar dhe vetëm qanim se nuk kishte asnjë fjalë në mes. Vetëm kemi qarë”
“Unë s’kam pasur mbështetje, kam qenë e vetme, kam shkruar gjithmonë letra për amnisti, por nuk kam përfituar kurrë”, tregon Rinela. “Si e kam përballuar? Me shumë forcë, dëshirë për të jetuar dhe shpresën që do të dal një ditë. Edhe stafi më ka dhënë forcë për të jetuar dhe shpresuar. Stafi i burgut ka qenë një familje për mua, bashkë me bashkëvuajtëset e mia. 63 të burgosurat, të gjitha i kam mikesha pasi të gjitha i kam pasur mbështetje. Shoqja më e ngushtë brenda burgut u lirua pak kohë më parë, kam folur, po i shkon jeta shumë mirë. Tani merret me punë, pranë familjes së saj. Unë jam 46 vjeç dhe për 16 vjet kjo është dita e parë që po dal në televizion. Janë të rralla rastet e grave që përfundojnë për vrasje brenda, por ishte shumë e vështirë, pastaj s’kishim mbështetje, s’kishte kush na mësonte… Mos e paçin fatin tim gratë e vajzat e tjera, se sa kam vuajtur unë këtu, është shumë e vështirë për një femër të bëjë 16 vjet burg”.

Irena Ziri ka edhe ajo një histori të ngjashme, e burgosur për vrasjen e burrit të saj në moshën 32-vjeçare, pas 14 vitesh martese, gjatë të cilës bënë edhe dy fëmijë. Ajo nuk i ka takuar kurrë fëmijët që kur u fut në burg. “Kam 14 vjet këtu. U martova 18 vjeç. Vuaj shumë dhe për këtë kam shkruar një ese me titull “Të mbijetosh në burg, betejë e fituar”. Jam munduar të mbijetoj me shpresën dhe lutjen më të madhe ja bëj familjarëve të dëmtuar që janë marrë me mbarëvajtjen e fëmijëve, nëse ka një mundësi të ndash nënën me fëmijën është e rëndë. Ndoshta i kemi lënduar edhe ata, por pendimi është më i madh se krimi që kemi bërë. Ai kapitull nuk mbyllet asnjëherë, as për mua dhe as për pjesën e dëmtuar, por thashë edhe një herë të falësh është forcë e madhe. 32 vjeç hyra në burg. Çfarë do të kisha bërë po të kthehesha pas? E para në vetvete mësova të mos besoja. Besimi ishte i tepërt, jo të gjithë njerëzit janë ashtu siç i mendojmë ne. E dyta, për pak gjë jeta të rrëshqet nga duart dhe e them për të gjithë, vetëm ne që i kemi humbur e dimë se sa e shtrënjtë është”.

E pyetur për qëllimin e saj në jetë, Irena pranoi me lot në sy se arsyeja e vetme për të cilën jeton janë fëmijët. “Dua t’i shikoj sa janë bërë dhe si i shkon jeta. Kur kishin nevojë për mua nuk isha aty. Mbase kanë krijuar familjen e tyre, por ato janë dy qënie që zemra ime vajton gjithmonë. Kur të dal dua të punoj. E para për çfarë jemi kualifikuar këtu, vetëm nëse na pengon paragjykimi, pasi aftësitë dhe guximin për punën i kemi. Unë këtu mbaj mend që kur kam ardhur në 325, që në ditën e parë kam qenë e punësuar, në çdo vend kemi guzhinë, rrobaqepësi, dushe ku na është dhënë mundësia të punojmë sepse mbushim ditën fitojmë edhe ndonjë lek për vete”.

Aishja, nëna e shtatë fëmijëve, e dënuar edhe ajo për vrasjen e bashkëshortit, do të dalë pas disa ditëve. “I kërkoj falje publike familjes së bashkëshortit, por shoku që pësova në ato moment ishte i paevitueshëm dhe nuk urroj asnjë grua që ta pësojë këtë tronditje që kam pësuar unë. Asnjëherë nuk mund ta heq nga mendja se për ne nuk është e lehtë, por uroj që edhe burrat të kenë pak kujdes. Fatmirësisht, fëmijët e mi janë të mbarë, jam shumë krenare për ta. Jam 52 vjeç, mbase s’do jem e zonja për punë, e zonja nuk jam se jam e kufizuar, kam reumatizëm, sëmundja që kam nuk më lejon, por do mundohem të mbaj fëmijët, t’i gatuaj, t’i jap dashurinë që i ka munguar për aq shumë vjet. E kam provuar se kam qenë me leje çdo të thotë të jetosh në familje… Mos më pyet çfarë ndjesie….”.

Top Channel