
Një ditë pasi kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ndërpreu kontratën me kompaninë e derivateve “HIB Petrol”, e cila siguron ngrohjen për shkollat e kryeqytetit, kjo e fundit i është përgjigjur atij në deklaratë për shtyp.
Lidhur me mostrat e derivateve nga shkollat e Prishtinës, të dërguara në Itali për analizë, përfaqësuesit e “HIB Petrol” thanë:
“Ato mostra nuk janë marrë nga rezervuarët tanë, por nga rezervuarët e shkollave të komunës së Prishtinës, për gjendjen e të cilëve ne nuk mund të mbajmë asnjë përgjegjësi. Përgjegjësia jonë, sipas kontratës dhe sipas ligjit, përfundon në momentin e dorëzimit të produktit, veprim që gjithmonë është bërë në prani të komisionit të Komunës”.
Sipas përfaqësuesve të “HIB Petrol”, e gjithë kjo aferë është krijuar pasi kompania është shpallur si tatimpaguesi më i madh i Republikës së Kosovës për vitin 2013 dhe sepse dikush dëshiron të frenojë zhvillimin e saj në Kosovë.
Për kryetarin Shpend Ahmeti, përfaqësues të kësaj kompanie thonë se ai ka rënë pre e një lufte të pashpallur ekonomike, të inicuar nga dikush tjetër. Ndërsa, Arianit Koçi, avokat i kompanisë “HIB Petrol”, tha se kryetari Ahmeti ka bërë shkelje ligjore lidhur me ndërprerjen e kontratës.
“Zyrtarisht ne nuk kemi marrë njoftim për shkëputje të kontratës, por nëse marrim një gjë të tillë, ne mendojmë se kjo është e paligjshme dhe e paarsyeshme, prandaj ne do të kërkojmë mbrojtjen e të drejtave tona përmes gjykatës. Kryetari i Komunës ka bërë shkelje ligjore kur përmes mediave ka deklaruar se do të bëjë shkëputjen e kontratës, duke mos respektuar afatet ligjore që janë të specifikuara qartë”, u shpreh Koçi.
Ndër të tjera avokati Koçi kërkoi edhe kompensim për dëmin e shkaktuar si pasojë e kësaj fushate, e cila sipas tij, ka dëmtuar rëndë imazhin e kompanisë.
Top Channel