Deputetët e Kuvendit të Kosovës, me 67 vota pro, 1 kundër dhe 2 abstenime kanë miratuar kërkesën e nënkryetares së dytë të Komisionit për Buxhet dhe Financa, Jelena Bentiç, që çështja e punëtorëve të Fabrikës së Tubave të Ferizajt, të cilët kërkojnë t’u kompensohen 25 milionë euro të privatizimit të kësaj fabrike nga qeveria e Kosovës, të hyjë në rend dite.

Gjithashtu, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka kërkuar nga deputetët ta fusin në rend dite çështjen e punëtorëve të Fabrikës së Tubave, duke thënë se nuk po e kërkon këtë gjë si shkak i marketingut politik, por për ta zgjidhur këtë problem. Ai ka thënë se punëtorët nuk janë vetëm të një subjekti politik, por secili nga ta mund t’i takojë subjekteve të ndryshme politike në vend.

Megjithatë, partitë opozitare kanë thënë se qeveria duhet ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe kjo çështje është e panevojshme të vijë në Kuvend. Kryetari i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci ka thënë se ky vendim duhet të zbatohet dhe çështja të zgjidhet sa më shpejt.

Kryetari i grupit parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri e ka përkrahur vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe të drejtat e punëtorëve, mirëpo ka theksuar se po dëshmohet që kryeministri Thaçi po e bën këtë kërkesë për marketing, pasi sipas tij, vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk i nënshtrohen askujt tjetër.

Në këtë seancë Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur edhe kryetarin dhe anëtarët e Organit Shqyrtues të Prokurimit. Me 43 vota pro, 29 kundër dhe 8 abstenbime kryetar është zgjedhur Hysni Hoxha, ndërsa anëtarë janë zgjedhur Ekrem Salihu, Tefik Sylejmani, Vjollca Kurteshi dhe Bajram Zogiani. Sipas kryetarit Jakup Krasniqi, mandati i të emëruarve është 5 vjet.

Top Channel