Përmes një operacioni të përbashkët të forcave policore serbe dhe atyre
malazeze është arrestuar mëngjesin e së martës Darko Shariç, një
super-trafikant droge i kërkuar në të dyja vendet.

Lajmin e kanë bërë të ditur mediat beogradase. Shariç, 44 vjeç, me origjinë malazeze por nënshtetësi serbe, ishte në krye të një karteli të madh droge aktiv në Ballkan dhe Amerikën e Jugut.

Ai ishte shpallur në kërkim që nga viti 2009, pas sekuestrimit në Uruguaj në 2.8 tonelatave kokainë, të cilat kishin si destinacion disa vende të Evropës perëndimore.

Gjithashtu, Shariç përflitet edhe për lidhje me qarqe të caktuara politike serbe. Vitin e kaluar mediat lokale raportuan për një takim të krahut të tij të djathtë dhe kryeministrit Ivica Daçiç.

Po ashtu, në vitet e fundit u fol edhe për një plan të grupit të tij kriminal për të eleminuar ish-presidentin serb Boris Tadiç, pasi e konsideronte atë përgjegjës për shkatërrimin e perandorisë së tij kriminale.

Top Channel