KLSH: Të hetojmë koncensionet

17/03/2014 00:00

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kërkuar nga Parlamenti t’i japë fuqi
ligjore për të audituar zbatimin e kontratave koncesionare nga privatët.

Kryetari, Bujar Leskaj tha se kjo kompetencë, duhet të përfshihet në ligjin e ri të KLSH-së, që po diskutohet në Parlament.

“Ne kemi sjellë dhe tek materialet shtesë, do ju sjellim edhe përvojën sllovene, përsa i përket auditimit të koncensioneve. Personalisht, jam që ne si KLSH duhet të vazhdojmë të auditojmë edhe në zbatimin e koncensioneve, pra duhet t’i auditojmë këto subjekte”, tha Leskaj.

Në fushën e energjisë së rinovueshme, një numër i madh koncesionesh nuk janë realizuar asnjëherë duke mbajtur peng asetet publike, ndërsa për koncesionet e pasurive nëntokësore ka patur akuza se privatët manipulojnë treguesit financiarë, për të mos paguar detyrimet në shtet.  

“Kontrolli i procedurës i gradimit të një koncensioni, nuk e qetëson publikun, që ai koncension po përdoret në interes të publikut. Do t’ju kërkoja që ta shtrini më tej fushë-veprimin e aktivitetit tuaj, duke kontrolluar edhe pjesën e zbatimit dhe të angazhimeve që koncesionari ka marrë”, tha deputeti i PD-së, Florion Mima.

Veç të drejtës për të kontrolluar koncesionet, kreu i KLSH-së ceku dhe një tjetër çështje të nxehtë, që ka të bëjë me bllokimin e këtij institucioni për të kontrolluar tatimet.

“Në çdo kohë KLSH-ja është penguar në dhënien e informacionit nga drejtues të lartë. Kjo pengesë i ka sjellë dëme të konsiderueshme buxhetit të shtetit”, tha Leskaj.

Prej 3 vjetësh, KLSH nuk është lejuar të auditojë të dhënat e tatimeve për borxhet që bizneset kanë ndaj shtetit dhe zoti Leskaj tha se ngërçi vazhdon.

“Në shtator të vitit 2013, kur Gjykata e Apelit dha përsëri një vendim në favorin tonë, përsëri nuk po e zbaton këtë. Kam vënë në dijeni ministrin e Financave”, tha Leskaj.

Muajt e fundit janë publikuar një sërë rastesh kur tatimet, veçanërisht gjatë fushatës elektorale dhe tranzicionit të pushtetit, kanë bërë rimbursime të paligjshme të TVSH-së, që i kanë marrë arkës publike dhjetëra milionë euro.    

Top Channel