SHBA-BE: Nuk e njohim rezultatin

16/03/2014 00:00

Përmes një deklarate, Shtëpia e Bardhë kundërshtoi referendumin në Krime dhe i cilësoi veprimet e Rusisë të rrezikshme dhe destabilizuese.

“Jemi shumë larg atyre ditëve, kur bashkësia ndërkombëtare qëndronte e qetë, ndërsa një vend merr me forcë territorin e një vendi tjetër”, ka qenë ky reagimi i parë i ardhur nga SHBA, teksa është mësuar nga mediat ruse se pas numërimit të 50% të votave, mbi 95,5% e votuesve të Krimesë kanë miratuar aneksimin e gadishullit, territor ukrainas, nga Rusia, nëpërmjet referendumit të së dielës.

Sipas rezultateve paraprake të referendumit, pjesëmarrja ka qenë në nivelin e 64% të votuesve, ndërsa rreth 1 milion vendas i kanë thënë ‘po’ kalimit të Krimesë nga Ukraina drejt Rusisë.

Bashkimi Europian e konsideron referendumin në Krime të paligjshëm dhe nuk do të njohë rezultatin e tij. Përmes një deklarate të përbashkët, Presidenti i Këshillit Europian, Herman Van Rompuy, dhe kreu i Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso, thanë se zhvillimi i këtij procesi bie ndesh me Kushtetutën e Ukrainës dhe ligjin ndërkombëtar.

Në Shtetet e Bashkuara, John Kerry, gjatë një bisede telefonike i përsëriti ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, se “referendumi në Krime është i paligjshëm dhe rezultati i tij nuk do të njihet”. Ai i tha homologut rus, se kriza në Ukrainë mund të zgjidhet vetëm në mënyrë politike dhe Rusia duhet të tërheqe trupat dhe të adresojë tensionet dhe shqetësimet për angazhimet ushtarake.

Siç raporton agjencia “Reuters”, duke cituar Ministrinë e Jashtme ruse, Lavrov dhe Kerry ranë dakord për gjetjen e një zgjidhjeje për krizën në Ukrainë, duke kërkuar reforma kushtetuese. Po kështu, kryediplomati rus i kërkoi Sekretarit amerikan të Shtetit “të përdorë ndikimin amerikan për të inkurajuar autoritetet e Kievit të ndalojnë shkeljen masive të ligjit, kundrejt popullsisë rusisht-folëse në Ukrainë”.

Larg rajonit të Krimesë, ku po zhvillohet referendumi, vazhdojnë protestat në qytetin juglindor të Donjeckut. Protestuesit pro-rusë mësynë ndërtesën e Prokurorit me thirrjet: “Donjecku është qytet i Rusisë dhe kërkuan lirimin e udhëheqësit pro-rus, Pavel Gubarev. Ata u shpërndanë, por u zotuan se do të kthehen të hënën.

Sipas Kremlinit, presidenti rus Vladimir Putin, gjatë një bisede telefonike, i shprehu Kancelares gjermane Angela Merkel “shqetësimin për përshkallëzimin e tensioneve në Donjeck, duke fajësuar 5 grupet radikale, që kanë miratimin e Kievit”. Zëdhënësi i Kancelares tha se ai kishte propozuar shtimin e pranisë së vëzhguesve ndërkombëtare nga OSBE, në lindje të Ukrainës, dhe Putin e kishte mirëpritur këtë plan.

Kryeministri i Ukrainës, Arseniy Yatsenyuk, tha se autoritetet do të zbulojnë banditët separatistë. Putin i tha Merkel-it se referendumi i së dielës në Krime është i ligjshëm dhe Moska do të respektojë rezultatin.

Top Channel