Nis sezoni i Formulës 1

16/03/2014 00:00

Sezoni i Formulës 1 nisi zyrtarisht me shumë surpriza këtë të dielë, në garën e parë të Australisë.

Rosberg, i nisur i dyti arriti të triumfonte në “Philip Island”, në një garë ku dominimi i sezonit të fundit të Vettel përfundoi menjëherë, me kampionin e botës në fuqi të tërhequr që në fillim.

Megjithatë, Ricciardo shpëtoi disi ditën për Red Bullin, duke përfunduar në vendin e dytë të podiumit, por është skualifikuar pasi ka kaluar kufirin e karburantit të lejuar nga rregullorja e re e Formulës 1: 100 litra. Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit (FIA) kishte nisur hetimin ndaj Ricciardos menjëherë pas garës dhe në bazë të nenit 5.1.4 të Rregullores Teknike, piloti është skualifikuar.

Hamilton, i cili u nis nga vendi i parë, gjithashtu braktisi garën që në fillimin e saj për shkak të një problemi teknik, duke rikthyer mallkimin e sezonit të shkuar, në të cilin shpesh herë arriti të fitonte “pole-position”, duke prishur gjithçka në garë.

Një fillim i “ngadaltë” ky edhe për skuadrën Ferrari, me “Kokëkuqen” që vazhdoi të shfaqte një nivel larg pritshmërive.

Kështu, Alonso u rendit vetëm në vendin e pestë (i katërti pas skualifikimit të Ricciardos), ndërsa finlandezi Raikkonen bëri më keq, duke e mbyllur në vendin e tetë (i shtati pas skualifikimit të Ricciardos).

Renditja përfundimtare e Cmimit të Madh të Australisë është kjo:

1. N. Rosberg (Mercedes)
2. K. Magnussen (McLaren)
3. J. Button (McLaren)
4. F. Alonso (Ferrari)
5. V. Bottas (Williams)
6. N. Hulkenberg (Force India)
7. K. Raikkonen (Ferrari)
8. J. E. Vergne (Toro Rosso)
9. D. Kvyat (Toro Rosso)
10. S. Pérez (Force India)
11. A. Sutil (Sauber)
12. E. Gutiérrez (Sauber)
13. M. Chilton (Marussia)

D. Ricciardo (Red Bull) I skualifikuar

Top Channel