Partia Demokratike Shqiptare ka akuzuar ministrin e Mbrojtjes, Talat Xhaferi, për keqpërdorim të parave të Ministrisë.

Në bazë të disa dokumenteve, që i ka publikuar në një konferencë për media, ish-deputeti i PDSH-së Bekim Fazliu ka akuzuar z. Xhaferi se ka përforur fondet e institucionit që drejton, për të blerë tituj librash nga një prefesor, i cili njëherësh ka qenë edhe mentori i tij në tezën e magjistraturës.

PDSH, po ashtu ka publikuar edhe një kontratë, me të cilën Ministria e Mbrojtjes merr për detyrim t’i paguajë ish-deputetes së BDI-së, Ermira Mehmeti, nga 500 euro çdo muaj për shërbime konsultative.

“Shtrohet pyetja, cilat janë ato shërbime që i paguhen Ermirës? Ndërkohë, shqiptarët kanë problem me sigurimin e ekzistencës dhe mijëra të rinj shqiptarë të diplomuar nuk kanë mundësi të sigurojnë vende pune! Nuk jemi të shqetësuar pse ju vidhni, korruptoheni mes jush me shuma të majme, por shqetësimi ynë kryesor është se nëpërmjet këtyre vjedhjeve, ju keni shitur interesat kombëtare. Ne vazhdojmë të kërkojmë nga organet kompetente të marrin masa konform ligjit”, tha Bekim Fazliu, PDSH.

Pas akuzave të bëra nga Partia Demokratike Shqiptare, ka reaguar ashpër ish-deputetja e BDI-së, Ermira Mehmeti. Ajo ka thënë se PDSH, përmes akuzave të tilla të pabaza, tenton të largojë vëmendjen e opinionit nga marrëveshjet e fshehta, që ka bërë në dëm të shqiptarëve kryetari i kësaj partie, Menduh Thaçi, me shefin e policisë sekrete maqedonase për zgjedhjet presidenciale.

“Pyetja themelore, e cila parashtrohet sot në fakt dhe për të cilën interesohet çdo shqiptar në Maqedoni, është për çfarë shërbimesh ranë dakord lideri i PDSH-së dhe Drejtori i Shërbimit Sekret të Maqedonisë, në darkën misterioze në restoranin “Sushiko” në Shkup. Mos vallë ishte kjo një darkë për të korruptuar interesat politike të secilit shqiptar në Maqedoni, duke bërë kurban profesorin Iljaz Halimi, për të mbrojtur pronat e interprometit në Tetovë”, tha Ermira Mehmeti, BDI.

Akuzat e PDSH-së i ka hedhur poshtë edhe ministri i Mbrojtjes, Talat Xhaferi, i cili ka thënë se, në kontratat që ka lidhur Ministria nën drejtimin e tij nuk ka asgjë të paligjshme.

Top Channel