Liridon Ajdini punon çdo ditë në dyqanin familjar të rrobaqepësit. Është nga të rinjtë e vetëm në Luginën e Preshevës që vazhdon traditën e familjes, ndonëse ka studiuar në Fakultetin Ekonomik.

Liridoni mendon se ky biznes mund ta mbajë në Preshevë, ndonëse ai e di se çdo të thotë përputhja në numra: “Ka disa vite që ne vetëm shpresojmë për ndryshime. Unë nuk mendoj se do të ketë ndryshim edhe kësaj here pasi vazhdon diskriminimi i shqiptarëve të këtij rajoni. Rinia po zgjedh rrugën e mërgimit.”
 
Shqiptarët e Luginës së Preshevës kanë pasur hamendje nëse duhet të dalin në zgjedhje. Por, Partia për Veprim Demokratik ka regjistruar listën dhe presin të jenë sërish në kuvendin serb. Mbi 80 mijë votues në zonat ku jetojnë shqiptarët, përfshirë edhe serbët, votojnë në këto zgjedhje. Në dy qytete shqiptarët janë shumicë dhe u duhen 14 mijë vota për të marrë një vend në kuvend.

Alejdin Shemsedini, banor i Preshevës, që shpesh pajton njerëzit, thotë se do të votojë në këto zgjedhje: “Nëse ke liderin tënd atje, mund t’i ankohesh atij.”

Shqiptarët në jug të Serbisë e kanë provuar me luftë realizimin e të drejtave të tyre dhe tashmë do të shihet nëse edhe do ta arrijnë me paqe.

Top Channel