Organizimin e zgjedhjeve parlamentare të Serbisë në territorin e Kosovës nga OSBE-ja, kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi e vlerëson si një të drejtë kushtetuese të cilën e serbët e gëzojnë për shkak të dyshtetësisë.

Duke iu përgjigjur pyetjes së Top Channel për këtë, kryeministri kosovar theksoi se Serbia nuk do të organizojë zgjedhje në Kosovë. Njëkohësisht, ai ftoi shqiptarët e Luginës së Preshevës që të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare të Serbisë të 16 marsit.

Këto komente kryeminsitri Thaçi i bëri pas inspektimit të punimeve në ndërtimin e impiantit ngrohës për qytetin e Prishtinës, me vlerë 30 milionë euro.

“Me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës qytetarët e Kosovës e kanë të drejtën e dyshtetësisë dhe kjo e drejtë duhet të respektohet për të gjithë, pa dallim. Serbia nuk mund të organizojë zgjedhje në Kosovë. Më lejoni gjithashtu që të ftoj qytetarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit që të marrin pjesë në jetën demokratike, të marrin pjesë në proceset elektorale dhe të zgjedhin njerëzit e tyre për t’i përfaqësuar”, deklaroi Thaçi.

Nga policia e Kosovës është konfirmuar se materiali zgjedhor për zgjedhjet parlamentare të Serbisë ka mbërritur dhe do të shpërndahet nëpër pikat grumbulluese, siç është vendosur të quhen qendrat e votimit.

Zyrtarët policorë bëjnë të ditur se kanë pranuar kërkesën nga OSBE-ja për ta përcjellë materialin zgjedhor gjithashtu për të asistuar për çështje të rendit dhe sigurisë gjatë votimit të dielën.

Qendrat e votimit do të hapen në orën 7 të mëngjesit dhe do të mbyllen në orën 19:00, kanë njoftuar zyrtarët e OSBE-së. Organizata e ka përshkruar rolin e saj si ndihmues, ndërsa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është tërësisht jashtë këtij procesi.

Top Channel