Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj ka deklaruar se në Republikën e Kosovës nuk do të ketë zgjedhje të Serbisë.

“Komuniteti serb ka të drejtë vote për shkak të së drejtës së dyshtetësisë, por ju e dini që në Kosovë nuk ka zgjedhje të Serbisë. Ka qendra grumbulluese nga OSBE-ja të cilat e bëjnë grumbullimin e materialit votues. Përtej këtij interpretimi, çdo gjë që thonë është përtej përshkrimit të realitetit në Republikën e Kosovës”, tha Hoxhaj.

Ministri Hoxhaj nënvizoi se Kosova është model i mbrojtjes, promovimit dhe avancimit të të drejtave të të gjithë minoriteteve që jetojnë atje.

Ai tha se Kosova, si shtet i pavarur dhe sovran, është shembulli më interesant në rajon për sa i takon mbrojtjes dhe promovimit të minoriteteve, përfshirë edhe atë serb.

Këto komente ai i bëri në konferencën për shtyp të mbajtur të premten pas takimit me ministrin e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati.

Top Channel