Me 48 vota pro, 10 kundër dhe 4 abstenime, Kuvendi i Kosovës miratoi në parim projektligjin për ndalimin e përfshirjes së qytetarëve kosovarë në konflikte të armatosura jashtë territorit të Kosovës.

Paraqitja e këtij pr/ligji në Kuvend erdhi si nevojë pas rasteve të evidentuara tashmë të pjesëmarrjes së kosovarëve në konfliktin e Sirisë.

Edhe pse ky projektligj u miratua në parim, lëvizja Vetëvendosje dhe Partia e Drejtësisë u shprehën kundër votimit të tij, duke thënë se nëse qeveria dëshiron të parandalojë pjesëmarrjen e qytetarëve të Kosovës në grupet terroriste, atëherë kjo gjë duhet të rregullohet me një ligj kundër terrorizmit.

Kurse grupet e tjera parlamentare u shprehën për miratimin e tij. Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi tha se ky projektligj është hartuar me qëllim mbrojtjen e interesit shtetëror dhe sigurisë kombëtare të Kosovës.

Sipas tij, është vërejtur një trend i rritjes së numrit të individëve, të cilët me rritjen e vatrave të krizës në botë e me qëllim të realizimit të përfitimit personal, po bashkangjiten në formë të organizuar apo të pavarur në këto kryengritje apo konflikte.

Top Channel