Izrael-Gaza, vijojnë sulmet

14/03/2014 00:00

Raketat dhe sulmet ajrore kanë vazhduar sërish mes militantëve të Gazës dhe Izraelit, pavarësisht pretendimeve të palestinezëve se paqja është rikthyer.
Disa raketa kanë goditur tokën izraelite të enjten, ndërsa ushtria e
Izraelit ka njoftuar ndërmarrjen e sulmeve ajrore si kundërpërgjigje.

Grupi i militantëve islamikë palestinezë të Xhihadit, thanë më herët se kishin arritur një mirëkuptim për të rikthyer marrëveshjen e armëpushimit të 2012-s. Por, Izraeli nuk e ka konfirmuar këtë.

Një ditë më parë, sasia më e madhe e predhave janë hedhur kundrejt Izraelit, që prej konfliktit të vitit 2012. Forcat izraelite të Mbrojtjes (IDF) thanë se ishin rreth 60 raketa që goditën Izraelin gjatë së mërkurës.

Ndërkohë, 8 raketa të tjera ishin lëshuar drejt vendit hebre gjatë së enjtes, pas të cilave Izraeli sulmoi 7 “vende terroristësh” në Gaza. Nuk raportohen viktima mes izraelitëve.

Agjencia e lajmeve “Reuters” citoi dëshmitarë që kishin thënë se 3 palestinezë ishin plagosur, pa i identifikuar nëse ishin civilë apo militantë.

Lideri i Xhihadit Islamik në Gaza, Khaled al-Batch, njoftoi më herët se Egjipti kishte ndërmjetësuar paktin për rikthimin e armëpushimit të 2012-s, dhe se paqja do të rikthehet nëse izraelitët përmbushin kushtet.

“Pas kontakteve dhe përpjekjeve intensive egjiptiane, marrëveshja për qetësi është rikthyer në pajtim me kushtet e arritura në 2012-n në Kajro”, tha ai në Facebook.

Momente më parë, zëdhënësi ushtarak i Izraelit, Peter Lerner, tha se Izraeli do të “vazhdojë të eliminojë rreziqet, teksa ato njohin vetëm zhvillime”. Ai shtoi se “kjo është detyra jonë dhe përgjegjësia ndaj atyre që i ekspozohen terrorizmit nga Gaza”.

Izraeli ka ndërmarrë dhjetra sulme ajrore që prej së mërkurës, duke goditur bazat e qeverisë së Hamasit në Gaza, por edhe Bigadën al-Quds përreth territorit të tyre.

Xhihadi Islamik tha se kishte lëshuar raketa gjatë së mërkurës, në shenjë hakmarrje për vrasjen e 3 militantëve të tyre në një sulm ajror të Izraelit, një ditë më parë. Izraeli njoftoi se kishte sulmuar militantët, menjëherë pasi kishin lëshuar raketa murtajash ndaj ushtarëve izraelitë.

Top Channel