Turqi, dy të vdekur në protesta

13/03/2014 00:00

Të paktën dy persona kanë vdekur gjatë protestave që përfshinë një ditë më parë Turqinë, pas varrimit të një adoleshenti të vrarë në manifestimet anti-qeveritare të verifikuara vitin e kaluar.

Një protestues humbi jetën gjatë përleshjeve me policinë në lagjen Kurtulus të Stambollit, ndërsa një oficer policie thuhet se humbi jetën për shkak të një ataku kardiak teksa përballej me turmën.

Protestat u nxitën nga vdekja ditën e martë e 15-vjeçarit Berkin Elvan, që ishte në koma që kur ishte goditur me një bombë gazi nëntë muaj më parë.

Ai kishte dalë për të bërë disa blerje gjatë protestave në Stamboll, kur papritur u godit në kokë nga bomba me gaz lotësjellës e qëlluar nga forcat e policisë ndaj manifestuesve.

Vdekja e tij ditën e martë shkaktoi protesta të dhunshme në të paktën 32 qytete e lokalitete në mbarë vendin, raportojnë mediat lokale.

Edhe këtë herë forcat e rendit qëlluan gaz lotësjellës dhe përdorën topa uji ndaj protestuesve në Ankara dhe Stamboll, teksa mijëra njerëz kishin mbushur rrugët për të mbajtur zi për vdekjen e tij.

Protestues të shumtë pësuan lëndime. Një grua theu këmbën ndërsa shumë të tjerë morën plagë në qytetin perëndimor të Izmirit, kur policia u përpoq të ndalonte marshimin drejt selisë së qeverisjes vendore.

Protestuesit në Stamboll hodhën fishekzjarre drejt forcave të policisë, ndërsa qindra persona, përfshirë kalimtarë të rastësishëm që u përfshinë në vorbullën e protestës, u strehuan në një qendër tregtare dhe në një hotel të njohur pasi policia hodhi gaz dhe spraj me piper.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB