Trump pyetet për lajmet e vrasjes së Khameneit: Besoj se është e vërtetë
Akuzat ndaj një diplomateje indiane, arrestimi i të cilës lëkundi raportet mes Shteteve të Bashkuara dhe Indisë, janë rrëzuar nga një gjyqtare amerikane.
Gjyqtarja Shira Scheindlin vendosi se Devyani Khobragade kishte imunitet diplomatik në momentin e padisë për shkelje të afateve të vizës dhe për pagesë të ulët të kujdestares së shtëpisë së saj.
Zonja Khobragade, e cila që atëherë është larguar nga Shtetet e Bashkuara, u shpreh përmes avokatit të saj se, drejtësia dhe ligji kishin mbizotëruar në këtë vendim.
India kërkoi nga Shtetet e Bashkuara që të kërkonin ndjesë pasi diplomatja u arrestua dhe iu bë një kontroll i imtësishëm.
Nju Delhi zyrtar deklaroi se ndihej i shokuar nga mënyra e arrestimit dhe urdhëroi një seri kundërsulmesh ndaj Amerikës, përfshirë dëbimin e një diplomati amerikan nga India.
Prokurori amerikan Preet Bahara deklaroi se zonja Khobragade ishte trajtuar me një mirësjellje të cilën shumë amerikanë nuk do ta përjetonin gjatë një arrestimi dhe tha se kontrolli i saj, i bërë nga një agjente femër, ishte një praktikë standarde.
Diplomatia u arrestua në dhjetor nën dyshimin e shkeljes së afatit të vizës dhe për deklarata të rreme, pasi u akuzua për pagimin e shërbyeses së saj indiane nën minimumin amerikan të pagës.
Ajo u kthye në Indi në janar pasi u padit për vepra penale dhe India refuzoi t’ia hiqte imunitetin. Familjarët e saj mirëpritën vendimin e gjykatës amerikane.
Top Channel