Pistorius, ekspertiza mbron pistën

13/03/2014 00:00

Një ekspert i policisë shkencore ka mbrojtur mënyrën se si policia ka menaxhuar provat e mbledhura nga vendi i krimit, përsa i përket të shtënave që atleti Oscar Pistorius qëlloi në drejtim të të dashurës së tij, Reeva Steenkamp.

Avokatët mbrojtës supozojnë se provat nga vendi i ngjarjes u zhdukën dhe se teknikat investigative, si analizat mikroskopike, nuk u përdorën.

Pistorius deklaron se ai e qëlloi gabimisht Steenkamp përmes derës së tualetit, pasi mendoi se bëhej fjalë për një hajdut. Por prokurorët thonë se ai u përpoq të rrëzonte derën dhe më pas qëlloi me pistoletë.

Ditën e mërkurë, gjykata dëgjoi ekspertin e policisë shkencore, kolonelin Johan Vermeulen, që deklaroi se Pistorius nuk kishte veshur protezat e tij të këmbëve kur qëlloi dorën me një shkop kriketi.

Më herët atleti kishte deklaruar se i kishte vendosur protezat para se të përpiqej të rrëzonte derën me shkop. Dera e dëmtuar e tualetit, e cila mban edhe katër vrima plumbash, është paraqitur në gjykatë bashkë me një replikim të tualetit ku modelja Reeva Steenkamp humbi jetën.

Procesi gjyqësor ka hyrë në javën e tij të dytë. Akuza po përpiqet të bindë trupin gjykues se Pistorius dhe 29-vjeçarja Steenkamp kishin pasur një debat para se atleti të qëllonte dhe t’i merrte jetën të dashurës.

Në Afrikën e Jugut nuk ka gjyqe me juri dhe fati i sportistit pritet të vendoset nga gjyqtari, i asistuar nga dy bashkëpunëtorë. Nëse shpallet fajtor, 27-vjeçari, i konsideruar si një hero i sportit, mund të përballet me burgim të përjetshëm.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB