Shkup, partitë dorëzojnë kandidaturat

12/03/2014 00:00

Partia Demokratike Shqiptare ka dorëzuar në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve kandidaturën e Iljaz Halimit për zgjedhjet presidenciale të 13 prillit.

Sipas përfaqësuesve të PDSH-së, Halimi në këto zgjedhje do të jetë kandidati konsensual i shqiptarëve, pasi është i vetmi shqiptar që garon për president të Maqedonisë.

Ish-deputeti i PDSH-së Orhan Ibrahimi, pas dorëzimit të kandidaturës në KSHZ, tha se vota për zotin Halimi është referendum për liritë dhe të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni.

“Profesor Iljazi është kandidati konsensual i shqiptarëve. Shqiptarët, si popull i organizuar politikisht, do të dinë të përcaktohen për kandidatin e tyre shqiptar. Vota pro kandidatit shqiptar do të thotë të ndalojmë përbuzjen, të keqen, nënçmimin dhe diskriminimin e shqiptarëve që po i bën kjo qeveri. Vota pro është për një jetë më të mirë për shqiptarët, është referendum për të drejtat dhe liritë që aq shumë na mungojnë”, deklaroi Ibrahimi.

Gjatë ditës së mërkurë në KSHZ është dorëzuar edhe kandidatura e presidentit aktual Gjorgje Ivanov nga partia VMRO-DPMNE, e cila e ka rikandiduar atë edhe për një mandat.

Në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve nuk është dorëzuar ende vetëm kandidatura e Stevo Pendarovskit, i cili garon nën siglën e partisë maqedonase në opozitë, LSDM.

Afati për dorëzimin e kandidaturave presidenciale në KSHZ skadon të enjten pas mesnate. Në zgjedhjet presidenciale në Maqedoni, që mbahen më 13 prill, garojnë katër kandidatë prej të cilëve vetëm njëri është shqiptar.

Top Channel