Fatmir Limaj dhe të pandehurit e tjerë do të dalin para trupit gjykues të enjten më 13 mars. Dhe kjo për të dyja çështjet, të njohura si MTPT1 dhe MTPT2.

Kjo do të jetë një seancë dëgjuese në të cilën do të vendoset për masat e mëtejshme ligjore ndaj të akuzuarve të të dy rasteve.

Kjo seancë do të mbahet me kërkesë të prokurorit të EULEX-it e për më tepër do të vendosë nëse Limaj dhe të tjerët, të akuzuar për disa vepra penale, do të vazhdojnë të mbrohen në liri, nëse kjo liri do t’u kufizohet me masat e caktuara, apo eventualisht do t’u shqiptohet masa e paraburgimit.

Mbajtjen e një seance të tillë mbi masat që pritet t’u shqiptohen të akuzuarve e kanë konfirmuar për gazetën “Tribuna” edhe zyrtarë të EULEX-it, por pa qenë në gjendje të japin ndonjë detaj tjetër.

Madje, zyrtarët e këtij misioni nuk kanë qenë në gjendje të tregojnë as se në cilën gjykatë do të mbahet seanca, orën, apo të dhëna të tjera më të hollësishme.

Top Channel