Në vitin 2014, investimet direkte në sektorin e turizmit në Kroaci, për restaurimin e ndërtesave të vjetra dhe ndërtimin e atyre të reja, do të arrijnë të paktën 410 milionë euro.

Lajmin e ka bërë të ditur ministri kroat i Turizmit, Darko Lorencin, i cili ka cituar të dhënat e para të mbledhura nga dikasteri i tij.

“Edhe pse bëhet fjalë për shifra ende paraprake, 410 milionë eurot e programuara për këtë vit janë thuajse dyfishi krahasuar me 2013, kur bëhej fjalë për 230 milionë euro”, ka thënë Lorencin.

Ministri ka saktësuar se nga kjo llogaritje është përjashtuar vlerësimi për strukturën e madhe të hotelerisë së Kuparit, fshati i vogël në Dubrovnik, që rezulton e braktisur që prej vitit 1991 kur shërbente si bazë e ushtrisë jugosllave, që mbante të pushtuar lokalitetin e famshëm turistik të bregdetit kroat.

Këto të dhëna, bashkë me projektet ende në përgatitje, tregojnë se strategjia e Ministrisë kroate të Turizmit për të bërë 7 miliardë euro investime në turizëm në 7 vjet mund të realizohet.

Në vitin 2013, turizmi në Kroaci, sektori i vetëm i ekonomisë që nuk ka ndjerë krizë, regjistroi një rritje prej 5 për qind të turistëve, ose 12 milionë turistë të huaj më shumë se në vitin 2012.

Top Channel