Parlamenti i Izraelit miratoi një ligj që i jep fund përjashtimit nga shërbimi ushtarak të studentëve të regjistruar në shkollat ortodokse hebrehe.
Legjislacioni u aprovua me 65 vota në favor dhe një kundër, ndërsa partitë e opozitës bojkotuan, duke thënë se ky votim ishte i padrejtë dhe jodemokratik.
Ortodoksët hebrenj, për të mos u ngatërruar me fenë ortodokse, janë besimtarë judenj që vazhdojnë të ndjekin ritet e para të besimit të tyre. Ortodoksët, midis të tjerave nuk e njohin shtetin e Izraelit dhe dënojnë ekzistencën e tij, pasi i mbeten besnikë premtimit të Biblës se pasi u shkatërrua si rrjedhojë e mëkateve dhe hebrenjtë u shpërndanë në çdo cep të globit, shteti i Izraelit do të rikrijohet vetëm drejtëpërsëdrejti nga Zoti.
Për shkak të këtij besimi, ata refuzojnë që të marrin pjesë në zgjedhje, në ushtri apo të pranojnë të drejta të tjera civile brenda shtetit të Izraelit, ku jetojnë në komunitete tejet të mbyllura ndaj pjesës tjetër të popullsisë.
Rekrutimi ushtarak në Izrael është i detyrueshëm si për meshkujt, ashtu edhe për femrat.
Vitet e fundit shoqëria civile, parti laike dhe aktivistë të ndryshëm kishin rritur trysninë ndaj qeverisë dhe parlamentit për heqjen e këtij përjashtimi.
“Ndryshimet ligjore hyjnë në fuqi ditën e enjte dhe do të transformojnë rrënjësisht shoqërinë izraelite”, deklaroi Yaakov Peri, i partisë Yesh Atid, pjesë e koalicionit qeverisës.
Trajtimi i privilegjuar për studentët ultra-ortodokës është në fuqi që prej krijimit të Izraelit në vitin 1948. Në atë kohë vendi numëronte vetëm 400 studentë të përkushtuar në studimin dhe interpretimin e librit të tyre të shenjtë, Torah.
Por tani, falë rritjes demografike, kjo pjesë konservatore e shoqërisë izraelite përbën rreth 10 përqind të popullsisë prej 8 milion banorësh të vendit. Pjesa e këtyre meshkujve janë të papunë për shkak të studimeve dhe jetojnë falë donacioneve, përfitimeve nga shteti apo edhe nga pagat e bashkëshorteve të tyre.
Ky fenomen që ka ardhur gjithnjë e duke u zgjaruar, ndër vite ka shkaktuar reagimet e laikëve maxhorancë që kërkojnë përfshirjen e ultra-ortodoksëve në aktivitetet shoqërore, sidomos sa i përket pjesës së detyrimeve që ata duhet të kenë.
Por ultra-ortodoksët deklaruan shërbimi ushtarak do t’i pengojë në punën e tyre studimore dhe interpretuese të shkrimeve fetare, baza e ‘jetës së hebrenjve’.
“Ne e kuptojmë nevojn për të qenë pjesëmarrës në të tilla gjëra, por nga ana tjetër është edhe detyra e shenjtë e njerëzve të Izraelit për të studiuar Torah-n (libri i shenjtë i hebrenjve)”, deklaroi Ytzhak Vaknin, deputet i partisë opozitare ultra-ortodokse, Shas.
Ligji i ri parashikon detyrimin për thërritjen nën armë dhe në shërbimin kombëtar të 5200 studentëve teologë deri në vitin 2017. Shifra është rreth 60 përqind e numrit total të studentëve. Nëse kjo shifër nuk plotësohet, atëherë autoritetet do të detyrojnë me forcë të kryejnë shërbimin ushtarak dhe atë civil kombëtar 1800 cdo vit, deri në plotësimin e kuotës së përcaktuar, si dhe do të ndëshkojë kundërshtuesit, deri edhe më burgim.
Këto penalizime kanë shkaktuar zemëratën e udhëheqësve ultra-ortodoksë që kanë paralajmëruar protesta.
Nga ana tjetë kritikët laikë vazhdojnë këmbëngulin duke e cilësuar ligjin si ‘gjysmak’ që nuk vendos barazinë mes qytetarëve izraelitë dhe për këtë paralajmëruan dërgimin e tij në Gjykatën Supreme për anulim. Dy vjet më parë në një vendim të saj, kjo gjykatë e cilësoi përjashtimin nga shërbimi ushtarak dhe ai civil kombëtar për ultra-ortodoksët si anti-kushtetues.
Top Channel