Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj priti të mërkurën në një takim lamtumire ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Islam Lauka.

Gjatë takimit, ministri Hoxhaj vlerësoi lartë kontributin e ambasadorit Lauka gjatë misionit në Kosovë, njofton kjo ministri në një komunikatë për shtyp.

Hoxhaj tha se ambasadori Lauka ka qenë një mbështetës i madh i Kosovës, duke e falënderuar për angazhimin dhe për mbështetjen që i ka dhënë vendit për më shumë se 30 vjet të karrierës së tij diplomatike, përfshirë edhe mbështetjen e viteve të fundit, në shtetndërtimin dhe konsolidimin e Kosovës.

“Marrëdhëniet tona janë të shkëlqyera në rrafshin diplomatik dhe politik. Ambasadori Lauka gjatë këtyre viteve, këtyre marrëdhënieve iu ka dhënë përmbajtje, iu ka dhënë prioritete të qarta dhe në emër të qeverisë dhe të qytetarëve e falënderova për këtë mbështetje të madhe që i ka dhënë Kosovës”, ka thënë ministri Hoxhaj.

Nga ana e tij, ambasadori në ikje i Shqipërisë në Prishtinë, Islam Lauka ka shprehur mirënjohjen e tij për institucionet dhe për gjithë popullin e Kosovës për pritjen që i kanë bërë gjatë misionit diplomatik.

“Dua të falënderoj ministrin e Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj për bashkëpunimin e shkëlqyer që kemi pasur në këto vite, të cilat kanë qenë vite shumë intensive dhe shumë dinamike”, tha ambasadori Lauka.

Ndërkaq, pasditen e së martës, ministri Hoxhaj priti në një takim ambasadorin e ri të Republikës së Shqipërisë në Prishtinë, Qemal Minxhozi, i cili i dorëzoi letrat kredenciale.

Gjatë takimit, ministri Hoxhaj i uroi sukses në misionin e tij në Kosovë ambasadorit Minxhozi, si dhe shprehu vullnetin e qeverisë së Kosovës për fuqizimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të gjithanshme me Shqipërinë.

Top Channel