Ankesat e Serbisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës, duket se nuk do të kenë peshë të madhe.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se qeveria e tij ka mbështetjen edhe të Kombeve të Bashkuara për këtë çështje. Vlerësimi se Kosova ka të drejtë të themelojë Forcat e Armatosura, sipas kryeministrit Hashim Thaçi, është dhënë nga të gjithë partnerët ndërkombëtarë.

“Për nxjerrjen e vendimit për formimin e FAK, apo Ushtrisë së Kosovës, tani kemi edhe pajtueshmërinë e SHBA-ve dhe mbështetjen e plotë të NATO-s dhe BE-së, si dhe vlerësimin se institucionet e Kosovës kanë të drejtë të marrin vendimet e tyre edhe nga OKB. Tani presim që Kuvendi i Kosovës të marrë vendimin e duhur, qoftë dhe vullneti i qytetarëve të Kosovës, ne si partnerë të koalicionit do ta votojmë formimin e Ushtrisë së Kosovës, apo FAK, të gjithë në mënyrë unike”, tha Hashim Thaçi, kryeministër i Kosovës.

Këto komente, Thaçi i bëri pas takimit me përfaqësuesit e sindikatave të punëtorëve kosovarë. Në një ceremoni solemne, e shoqëruar me duartrokitjet e shpeshta të kryesindikalistëve, Thaçi nënshkroi vendimin për rritjen e pagave.

Përfaqësuesit e sindikatave adresuan falënderime të mëdha kundrejt Thaçit, me vlerësimet se është i vetmi kryeministër, që është kujdesur për mirëqenien e punëtorëve kosovarë.

Të pranishëm nga radhët e kryesindikalistëve ishin edhe përfaqësuesit e veteranëve dhe invalidëve të UÇK-së, ata të minatorëve të Trepçës, pensionistëve etj.

Takimi i kryeministrit me përfaqësuesit e sindikatave ishte lajmëruar nga zyra e kryeministrit si konferencë për shtyp. Por, kryeministri, megjithë interesimin e gazetarëve për të, nuk mori pyetje jashtë temës së takimit.

Top Channel