Sekretari i Jashtëm britanik, William Hague ka përgëzuar presidenten e
Kosovës për themelimin e Këshillit Kombëtar për të
Mbijetuarit e Dhunës Seksuale gjatë luftës, ka njoftuar ambasada
britanike në Prishtinë.

Duke e cilësuar punën e këtij Këshilli në këtë rrafsh si thelbësor në mbështetje të të mbijetuarve dhe adresimin e mungesës së llogaridhënies, Hague e ka vlerësuar këtë nismë si një progres të rëndësishëm.

“Është një përparim i rëndësishëm, që prej vizitës sime në Kosovë vitin e kaluar, kur ju shpjeguat se vendi juaj vazhdon të përballet me një numër sfidash në adresimin e çështjes së dhunës seksuale gjatë konfliktit”, ka shkruar Hague.

Ai ka nënvizuar se, “të mbijetuarit ende duhet të njihen si kategori në kuadër të ligjit për dëshmorët, veteranët dhe viktimat civile të luftës”, raporton Radio Evropa e Lirë.

Hague ka vënë në dukje se, niveli i hetimeve dhe ndjekjes penale mbi dhunën seksuale gjatë luftës mbetet i ulët dhe stigma sociale që rrethon krimet e tilla kanë penguar rehabilitimin, qasjen në drejtësi dhe reintegrimin social-ekonomik të të mbijetuarve.

Në këtë drejtim, shefi i diplomacisë britanike ka uruar që Këshilli të ketë mundësinë t’i trajtojë këto çështje me seriozitetin e duhur.

Top Channel