Moska dënon shkeljen e ligjit në lindje të Ukrainës, duke fajësuar militantët e ekstremit të djathtë, që po bashkëpunojnë me autoritetet e reja të Kievit.
Në deklaratën e Ministrisë së Jashtme ruse flitej për persona me maska, që kishin qëlluar dhe vrarë protestuesit paqësorë, javën e kaluar.
“Persona të armatosur hapën zjarr ndaj protestuesve paqësorë, në lindje të Kharkivit më 8 Mars”, shkruhej në deklaratë. Megjithatë, policia e Kharkivit, siç raporton agjencia e lajmeve ‘Reuters’, po e trajton ngjarjen si një “incident të vogël”.
Kharkivi dëshmoi javët e fundit mitingje dhe përleshje mes grupeve kundërshtare, pro dhe kundër Rusisë. Po kështu, përmes deklaratës, Ministria e Jashtme e Rusisë akuzoi Ukrainën se nuk është e angazhuar për liritë e medias, pas arrestimit të shtatë gazëtareve rusë, dhe shprehu shqetësimin për atë që e cilësoi “heshtje të turpshme të partnerëve perëndimorë, grupeve të të drejtave të njeriut dhe medias së huaj”.
Në të kaluarën, Ukraina ka reaguar menjëherë pas akuzave të Rusisë dhe ka fajësuar Moskën se po shtrembëron faktet, për të justifikuar vijueshmërinë e pranisë ushtarake në Krime. Kievi nënvizon se vëzhguesit e Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE) janë ndaluar të hyjnë në Krime nga milicitë pro-ruse, ndërsa një numër gazetarësh janë rrahur prej tyre në rajonin autonom.
Ukraina dhe Perëndimi akuzojnë Rusinë se po përdor një propagandë ‘zhurmëmadhe’, për të justifikuar zhvendosjen e trupave në Krime, por edhe se po i hedh benzinë zjarrit në juglindje, një pretendim që mohohet nga Kremlini.
Të dielën, dhjetra-mijëra persona në Ukrainë zhvilluan mitingje pro dhe kundër Rusisë, ndërsa Moska vazhdon të forcojë ndikimin e saj në Krime. Në Sevastopol, mbështetësit e Rusisë u përleshën fizikisht me kundërshtarët e tyre.
Duke iu drejtuar qindra personave në Kiev, me rastin e 200-vjetorit të lindjes së poetit kombëtar, Taras Shevchenko, kryeministri ukrainas Arseniy Yatsenyuk u zotua të mos i lëshojë asnjë centimetër tokë Kremlinit.
Ministri i Mbrojtjes tha më herët se Kievi nuk ka asnjë plan për ta dërguar ushtrinë në Krime. Udhëheqësit e Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë i telefonuan presidentit rus, Vladimir Putin, për t’i kërkuar atij tërheqjen e trupave nga Krimea.
Më 16 Mars, në këtë rajon, do të zhvillohet referendumi për t’iu bashkuar Federatës Ruse.
Top Channel