Presidencialet, 300 vëzhgues në Shkup

10/03/2014 00:00

Mbi 300 vëzhgues të OSBE/ODIHR-it do të monitorojnë procesin elektoral ditën e zgjedhjeve presidenciale të Maqedonisë, më 13 prill.

Procesin e monitorimit ky mision e ka filluar që nga dita e hënë, me 11 ekspertë për vëzhgimin e zgjedhjeve në Shkup dhe 20 të tjerë nëpër qytete të ndryshme të vendit.

Këtë e ka bërë të ditur shefi i misionit të OSBE/ODIHR-it, ambasadori Gert Arens, i cili tha se këtij misioni i intereson procesi i votimit dhe numërimit dhe jo rezultatet e zgjedhjeve.

“Nga vendet anëtare të OSBE-së do të kërkojmë që të dërgojnë 300 vëzhgues afatshkurtër, të cilët do të monitorojnë votimin dhe numërimin e votave. Presim që këta monitorues të mbërrijnë javën që do të mbahen zgjedhjet. Në kuadër të mbikëqyrjes do të bëjmë vlerësime nëse rrjedha e votimeve do të jetë në përputhje me standardet e OSBE-së dhe me legjislacionin e vendit”, deklaroi Arens.

Me vlerësimin e parë për zgjedhjet presidenciale, OSBE/ODIHR do të dalë një ditë pas votimeve, ndërsa një raport përfundimtar do të përgatitet pas dy muajsh.

Ndërkohë, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka njoftuar partitë politike se të enjten pas mesnate skadon afati për dorëzimin e kandidaturave. Edhe pse emrat e kandidatëve për kryetar shteti tanimë janë publikuar në opinionin publik, zyrtarisht partitë nuk i kanë dorëzuar ende ato në KSHZ.

Në zgjedhjet për presidentin e Maqedonisë do të garojnë katër kandidatë, prej të cilëve vetëm njëri është shqiptar.

Top Channel