Mbajtja e zgjedhjeve serbe në territorin kosovar shkel sovranitetin e shtetit. Përfaqësuesit e partive opozitare, por edhe krytari i Kuvendit kërkojnë që qeveria e Kosovës të respektojë ligjet dhe Kushtetutën dhe të mos lejojë mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare të Serbisë në Kosovë, ashtu siç është paralajmëruar.

“Marrëveshjen e ka bërë qeveria, ekzekutivi i vendit. Ne respektojmë çdo vendim që merr qeveria dhe ajo duhet të marrë vendimin në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi”, deklaroi kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi.

“Është detyrim i përfaqësuesve tanë institucionalë që të kenë konsistencë në qëndrimet e tyre dhe të mos i ndryshojnë ato gjatë ditës siç po ndryshon moti tek ne”, tha Ismet Beqiri, kryetar i grupit të LDK-së.

“Konsiderojmë se kjo është e papranueshme për shkak se është ndërhyrje direkte, ose një lloj tendence e ushtrimit të sovranitetit përbrenda territorit të Kosovës nga Serbia. Dhe në këtë drejtim, ne konsiderojmë se organizimi i zgjedhjeve serbe në Kosovë është i papranueshëm, qofshin zgjedhje lokale apo zgjedhje të përgjithshme. Është e domosdoshme që qeveria të ndërmarrë të gjitha masat që ka në dispozicion për ta parandaluar një gjë të tillë, por duke pasur parasysh historikun e kësaj qeverie, këta i kanë lejuar përherë këto zgjedhje dhe nuk presim që të bëjnë diçka në këtë drejtim”, tha Visar Ymeri nga Vetëvendosje.

Megjithatë, kryetari i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci nuk ka sqaruar nëse qeveria do ta ndalojë mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë.

“Ne e respektojmë sovranitetin territorial të vendit tonë dhe nuk pranojmë që ai të cënohet. Ne respektojmë Kushtetutën e Kosovës, veprojmë në përputhje me ligjet e Kosovës dhe kështu do të jetë. Sa për atë që dëshirojnë ata, dëshira është dëshirë, rregullat janë rregulla. Ligji vlen për të gjithë”, tha Grabovci.

Në mbledhjen e kryesisë së Kuvendit, partitë opozitare vlersuan se shndërrimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura është një proces politik e elektoral para zgjedhjeve.

Duke komentuar kushtëzimin e komuniteteve pakicë për vazhdimin edhe për një mandat të ulëseve në Kuvend, Krasniqi tha se ato janë të paarsyeshme.

Po ashtu, subjektet politike deklaruan se nuk do të bëjnë kompromis me minoritetet dhe nuk do t’i votojnë rekomandimet e tyre për zgjatje të mandatit.

Top Channel