ALEKSANDËR ÇIPA – Silvana Mezini është një mësuese shqiptare e emigruar prej më tepër se 20 vjetësh në Greqi. Jeton në Selanik.
Koha e gjatë e emigracionit të saj ka qenë dhe mbetet një provë e fortë e qëndresës në identitetin dhe sidomos krenarinë e një zonje shqiptare që përfaqëson pasionin dhe vrullin për të sfiduar mundësimin e mësimit të gjuhës shqipe për fëmijët e emigrantëve. Përpjekje të tilla janë të shumta, por disa personazhe mbartin histori dhe subjekte sa të dinjitetshme aq edhe domethënëse. Fjala është për aktin e tyre të lartë se si organizojnë sigurimin e mjediseve për një klasë mësimi në shqip, se si mbledhin fëmijët e interesuar të emigrantëve dhe se si i tejkalojnë vështirësitë dhe pengesat që mbart një sipërmarrje e tillë në një vend të huaj dhe natyrisht edhe me risqe keqkuptimesh e keqinterpretimesh.
Janë shumë histori sakrificash dhe përpjekjesh që kalojnë përmes pengesash dhe moskuptimesh, sikundër edhe të rrethuara me përkrahje dhe admirim nga komuniteti i gjerë i emigrantëve. Në vise të ndryshme të Greqisë fqinje, beteja për të vijuar vullnetarisht mësimin e fëmijëve shqiptarë me gjuhën e nënës-shqipe është e njëjtë, por me subjekte dhe e shpërndarë në histori të shumëllojshme. Kohë më parë në “Shqip” kemi botuar historinë e mësueses Vera Shkurti që pas më tepër se 10 vitesh përpjekje e këmbënguljeje ia kishte dalë të çelte klasën për mësimin e gjuhës shqipe për fëmijët e emigrantëve në një ishull. Në Selanik, përpjekja e shoqatës “Nënë Tereza”, në të cilën kryeshquhet edhe gazetarja Anila Jole është rasti i një përvoje të re, kur shkolla shqipe në emigracion për emigrantët, ka vlerën e një fondacioni ku mishërohet jo vetëm dëshira dhe vrulli për arsimimin shqip, por më së shumti për identitetin dhe kulturën kombëtare. Kohë më parë një përshkrim të tillë entuziast, por edhe ankimtar më pat përcjellë edhe kolegu dhe publicisti i përvojës Abdurahim Ashiku, i cili gjithashtu është ndër emigrantët aktivë në këtë fushë në Greqi. Nisma të tilla, udhëtojnë dhe lindin pa pasur asnjë mbështetje dhe përkrahje shtetërore. Ndërkohë që duhet thënë se ato vlejnë më shumë se shumë projekte që lëvdohen e mburren për “mundin dhe kujdesin e qeverisë së radhës”.
Nisma dhe sipërmarrje të tilla për interes të njohjes dhe shpërndarjes së gjuhës dhe dijes mbi shqipen në Greqi, janë më të shumta nga sa ka informacion opinioni publik dhe mediat. Në to mishërohet jo vetëm idealizmi i individëve dhe grupeve që jetojnë me dëshirën që “Shqipëria tjetër” (ajo që gjendet dhe mbartet si në kumtin universal të poezisë së njohur të Odise Elitisit) të shfaqet dhe njihet më shumë nga ajo që pasqyrojnë kronikat dhe raportimet mediatike për kriminalitetin dhe vuajtjet sociale të shqiptarëve në botë. Kjo është gara më fisnike të cilën e kanë nisur spontanisht dhe me bindjen e të qenët përfaqësuese të vlershme të vendit dhe shoqërisë, të kulturës, arsimit dhe krenarisë civile, kësi zonjash e zotërinjsh arsimtarë të emigruar jashtë atdheut. Ka me dhjetëra të cilët nuk i rreshtojmë dot në këtë shkrim, por që secili në llojin e vet mbart dhe mishëron një histori dhe sukses shqipedashës. Kësi nismash janë pararendje dhe imponim për mbërritjen e Shqipërisë institucionale, pranë emigracionit shqiptar jo vetëm në Greqi. Shoqata si “Nënë Tereza” në Selanik është koha të vihen në aleancë institucionale me strukturat shtetërore të ministrive të linjës apo edhe agjencive që inkurajojnë projekte me interes për përhapjen e mbrojtjen e vlerave dhe aspiratave kulturore shqiptare matanë hapësirës administrative të vendit. Është shumë herë më me interes të planifikohet një përqindje projektesh për kësi shoqatash dhe nismash të emigrantëve në Greqi sesa të jepen disa donacione apo fonde për projekte minore shoqatash që e kanë jetëshkurtër efektin dhe impaktin e tyre brenda vendit.
Mësuesit e shqipes në Greqi meritojnë përkrahjen e munguar të shtetit. Është koha që dy ministri së paku, ajo e Arsimit dhe e Kulturës të kenë një pikë takimi dhe koordinimi për të përkrahur arsimin dhe kulturën shqiptare të emigrantëve në Greqi apo Itali, ku edhe gjenden për më tepër se dy dekada komunitetet më të mëdha të emigrantëve tanë. Kjo duhet bërë me çdo kusht dhe pavarësisht nga sakrificat financiare të administratës shtetërore dhe sidomos asaj arsimore në vend. A nuk po e mbështet edhe Greqia edhe Italia një nismë të tillë institucionale në pikun e krizës financiare shtetërore të këtyre pesë viteve të fundit? Fondacionet kulturore të dy shteteve fqinje gjatë këtij pesëvjetëshi jo vetëm që nuk e kanë rreshtur veprimtarinë dhe përpjekjen e tyre, por përkundrazi kanë ridimensionuar prurjet dhe paraqitjet kulturore e arsimore të tyre në Shqipëri. Në masë financiare ne nuk i gjegjemi dot me reciprocitet, por në reagim e kemi të plotë të këtë mundësi. Le ta kryejmë për llogari të fëmijëve shqiptarë në emigracion dhe në emër të kulturës e arsimit tonë kombëtar!
Gazeta “Shqip”
Top Channel