KE bllokon fondet për Slloveninë

10/03/2014 00:00

Komisioni Evropian ka bllokuar pagimin e fondeve të BE për Slloveninë, me një vlerë prej 185 milionë eurosh, të parashikuara në kuadër të programit të financimit 2007-2013.

Zyrtarisht fondet janë bllokuar sepse sipas opinionit të Komisionit, ekzistojnë boshllëqe të mëdha në sistemin e mbikëqyrjes së programeve të shpenzimit dhe mungesë e theksuar transparence në proceset e ndarjes së tenderave për punët publike.

Sipas së përditshmes sllovene “Delo”, mes programeve të “inkriminuara” rezulton edhe ndërtimi i Fakultetit të Mjekësisë në Maribor dhe rinovimi i aksit hekurudhor Koper-Divakë.

Bllokimi pritet të prekë edhe fondet e parashikuara për në të ardhmen, që për vitin aktual arrijnë në të paktën 1 miliard euro dhe pritet të zgjasë derisa Sllovenia të marrë masat e duhura.

Top Channel