Shkupi fton vëzhguesit e huaj

07/03/2014 00:00

Një ditë pasi firmosi vendimin për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme, kreu i Parlamentit të Maqedonisë, Trajko Veljanovski përmes një letre ka ftuar institucionet ndërkombëtare të dërgojnë vëzhguesit e tyre për monitorimin e procesit elektoral.

Letra i është adresuar kreut të Asamblesë Parlamentare të OBSE-së, Parlamentit Evropian, Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe NATO-s.

Ndërkohë, të premten Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka përcaktuar kalendarin zgjedhor, sipas të cilit fushata elektorale për zgjedhjet parlamentare do të fillojë më 5 prill dhe do të përfundojë më datë 27 të të njëjtit muaj.

Fushata do të ndërpritet më 12 dhe 13 prill për shkak të heshtjes parazgjedhore për zgjedhjet presidenciale. Drejtuesit e KSHZ-së kanë shpallur edhe afatet për dorëzimin e listave me kandidatët për deputetë.

Kështu, partitë politike duhet të dorëzojnë deri më 29 mars listat e kandidatëve për deputetë, ndërsa më 3 prill do të tërhiqet shorti për numrin e partive në fletëvotim.

Në bazë të Kushtetutës, me shpërndarjen e Kuvendit ndërpritet edhe mandati i qeverisë aktuale. Për shkak të kufizimeve që parashikon Kodi i ri Zgjedhor, aktivitetet e funksionarëve qeveritarë gjatë dy muajve të ardhshëm do të jenë të kufizuara.

Ata në periudhën parazgjedhore nuk do të mund të sjellin vendime për projekte të reja kapitale dhe nuk kanë të drejtë të bëjnë përurimin e objekteve që ndërtohen me para të buxhetit shtetëror. Zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mbahen më 27 prill, bashkë me raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale.

Top Channel