
Tensioni mes Rusisë dhe Ukrainës mund të prekë edhe aspektin sportiv, pas idesë që qarkullon për pengimin e ekipit të Fabio Capello-s nga pjesëmarrja në Botërorin e Qershorit, por presidenti i UEFA-s beson se ky do të ishte një shpërfytyrim për lojtarët, të cilët kanë punuar kaq shumë për t’u kualifikuar për në finalet e Brazilit.
Zyrtarë ukrainas dhe diplomatë të Perëndimit akuzojnë Rusinë se ka dërguar mijëra trupa ushtarake në rajonin e Krimesë, gjatë javës së kaluar, një pretendim që Rusia e ka mohuar.
Më herët, gjatë kësaj jave, një zyrtar i Bashkimit Europian, në kushtet e anonimatit, raportohet të ketë thënë për një gazetar të BBC-së se organizata e tij mund të përpiqet të përjashtojë Rusinë nga finalet e kampionatit botëror.
“Nuk e di përse nuk duhen lejuar 11 lojtarë të luajnë në Botërorin e Brazilit. Ku është përgjegjësia e tyre në këtë problem”, tha Michel Platini për CNN. “Atëherë përse nuk mbyllni ambasadat tuaja? Ato janë ende të hapura në Rusi”.
Platini mund të jetë tashmë një drejtues i lartë, por ai flet nga eksperienca personale, se si politika nuk i ka shqitur kurrë ndërhyrjet në futboll.
Ish-lojtari i Francës ka pasur një situatë të ngjashme, për të vendosur nëse do të garonin apo jo në Botërorin e vitit 1978.
Atëherë ka pasur thirrje nga disa palë për të bojkotuar finalet, për shkak të masave represive të ndërmarra nga junta ushtarake, që erdhi në pushtet përmes një grusht-shteti në Mars 1976 dhe qeverisi vendin deri në vitin 1983.
Një nga periudhat më të famshme të historinë e Argjentinës erdhi pas kësaj, pasi mijëra individë, kryesisht ata me prirje të majta, u zhdukën gjatë “Luftës së Pistë”.
Ndërkohë që kombi amerikano-jugor përgatitej për të organizuar Botërorin e vetëm deri më sot, ka pasur thirrje për një bojkot të mundshëm, kryesisht nga ekipi holandez, i cili – ironikisht, – jo vetëm që ishte pjesëmarrës, por arriti edhe në finale të kompeticionit.
“Amnesty International” ka qenë gjithashtu një aktiviste premtuese, siç ka qenë edhe një grup në Francë i quajtur “COBA”, ankronimi francez i “Komitetit për Bojkotin e Botërorit në Argjentinë”, i cili donte që kompeticioni të prishej i gjithi.
Pavarësisht presionit, Platini, i cili ishte vetëm 20 vjeç në atë kohë, zgjodhi që të luante. “Është gjithnjë diçka pozitive të shkosh e t’i tregosh të tjerëve se kjo zgjidhje është shumë më e mirë se sa bojkoti”, tha presidenti i UEFA-s. “Besoj se është më e drejtë të shpjegosh se përse nuk je i lumtur, siç ka qenë edhe situata ime në vitin 1978, kur isha në Agjentinë për Botërorin”, shtoi 58-vjeçari. “Duhet të ndodhë e njëjta gjë edhe për Rusinë”.
Ekipi Paralimpik i Ukrainës përballet gjithashtu me të njëjtën zgjedhje të vështirë, nëse do të shkojë apo do të bojkotojë Lojrat Paralimpike Dimërore të Sochi-t. Ministri ukrainas i Sporteve ka thënë se i gjithë ekipi mund të ndjekë këtë shembull dhe jo vetëm me individë, ndërkohë që hije të zymta për ceremoninë e hapjes, ditën e premte, janë ngritur edhe nga politikanët e Gjermanisë, Britanisë, Holandës, Kanadasë dhe Polonisë, të cilët kanë deklaruar se nuk do të marrin pjesë.
Top Channel